Njëzeteshtatë organizata lokale dhe ndërkombëtare të lirisë së medias dënuan njëzëri më 12 gusht ndërhyrjen e fortë të Policisë shqiptare ndaj grupit mediatik Focus Media Group, duke shkaktuar ndërprerjen prej tre ditësh të sinjalit të televizionit informativ, News 24.
Sipas deklaratës së përbashkët, ndërhyrja është bërë mbi baza ligjore të paqarta dhe pa respektuar procedurën e rregullt ligjore, duke shkaktuar pasoja të menjëhershme mbi punën dhe të ardhmen profesionale të 230 gazetarëve dhe punonjësve të këtij grupi mediatik.
“Në mungesë të një baze ligjore të publikuar, vendimeve gjyqësore dhe urdhrave ekzekutues, ose një afati dhe hapash të qartë për vijimin e procesit, ligjshmëria dhe proporcionaliteti i veprimit vendosen seriozisht në pikëpyetje,” thuhet në deklaratë.
Si pasojë e ndërhyrjes policore, transmetimi i televizionit News 24 është ndërprerë prej datës 9 gusht dhe nuk ka asnjë qartësi mbi rifillimin e transmetimit apo të ardhmen e gazetarëve, punonjësve dhe stafit mbështetës të Focus Media Group.
“Kjo pasiguri minon besimin e publikut, dobëson pluralizmin dhe rrezikon të krijojë një efekt frikësues mbi lirinë e medias,” shtojnë organizatat.
Transmetimi i televizionit News 24 u ndërpre në orët e para të 9 gushtit, pasi Policia e Shtetit rrethoi ndërtesën ku ushtrojnë aktivitetin këto media, ndërpreu furnizimin me energji elektrike dhe pengoi qasjen e gazetarëve dhe stafit në ambientet e tyre të punës.
Veprimi i policisë buron nga një mosmarrëveshje më e gjerë pronësie midis Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Focus Media Group mbi qiratë dhe procedurat. Sipas autoriteteve, për njërën prej godinave në ish-uzinën e Autotraktorëve në Shkozë është ndërprerë kontrata e qirasë që prej vitit 2022 dhe Focus Media Group i ka humbur gjyqet, ndërsa për godinën ku ndodhej aktualisht redaksia, MEKI pretendoi se kishte detyrime qiraje të papaguara.
Organizatat shprehin shqetësimin se ndikimi i pengimit policor mbi punonjësit e medias është i menjëhershëm dhe serioz, pasi ata përballen me rrezikun e papunësisë, ndërsa shumë prej tyre përjetojnë prej kohësh vonesa në paga dhe mosshlyerje të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore.
“Me ndërtesën e bllokuar dhe veprimtarinë e ndërprerë, mjetet e tyre të jetesës dhe e ardhmja e tyre profesionale janë në rrezik,” thekson deklarata.
Organizatat e medias i bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare që të garantojnë të drejtën e gazetarëve për të punuar si dhe të ofrojnë një shpjegim të plotë publik mbi bazën ligjore, domosdoshmërinë, urgjencën dhe proporcionalitetin e operacionit të 9 gushtit.
Ato kërkojnë gjithashtu heqjen e kordonit policor, rikthimin e energjisë elektrike dhe lejimin e gazetarëve që të hyjnë të lirë dhe pa pengesa në redaksi; mbrojtjen e materialeve dhe infrastrukturës gazetareske nga çdo sekuestrim apo ndërhyrje si dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre të punës.
Organizatat i bëjnë gjithashtu thirrje pronarëve dhe drejtuesve të Focus Media Group që të veprojnë me urgjencë për të mbrojtur mjetet e jetesës dhe të drejtat e punonjësve, sikurse të sigurojnë ambiente të përkohshme dhe plane vazhdimësie, të sigurojnë shlyerjen e rrogave dhe kontributeve shoqërore si dhe të ofrojnë transparencë të plotë mbi situatën ligjore dhe kontraktuale, në mënyrë që punonjësit dhe publiku të kuptojnë bazën e mosmarrëveshjes.
“Kjo nuk është thjesht një mosmarrëveshje kontraktuale. Por ngre çështje thelbësore lidhur me respektimin e procedurave të rregullta, proporcionalitetin, lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të medias,” përfundon deklarata.
Rrjeti SafeJournalists:
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
Shoqata e Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikatë e Medias e Malit të Zi
Partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR):
Reporterët pa Kufij (RSF)
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)
ARTICLE 19 Europe
Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)
Shtyp i Lirë Pa Kufizim (FPU)
Organizata të shoqërisë civile në Shqipëri:
Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM)
Asociacioni e Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH)
Gruaja Shqiptare në Audiovizual (AËA)
Amfora
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJA)
Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGPM)
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (AHC)
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)
Rrjeti Ballkanik për Raportim Hulumtues Shqipëri (BIRN Albania)
Faktoje
Unioni i Gazetarëve Shqiptar (UGSH)
Shoqata e Gazetarëve Europian, Seksioni shqiptar
Qendra Citizens Channel
