Në dhomën e një shtëpize druri, tre shkencëtarë bërthamorë, shqyrtojnë ndjesitë e moralit, përgjegjësisë dhe fajit. Drama e Lusi Kirkud, me titullin “Fëmijët”, është ngjitur në skenën e teatrit Metropol me regjinë e francezit Erik Vinje.
Çifti i shkencëtarëve, Hazel dhe Robin, përballen me të shkuarën me ardhjen e koleges së tyre, Rozës, e cila nxit, jo vetëm rishikimin e vendimeve por edhe kujtimet e tyre.
Në një skenografi minimaliste dhe pothuaj të zhveshur, tre aktorët, shpalosin personalen e kolektiven, duke dashur të ngacmojnë te publiku, mendime, ndjesi, reagim.
Përmes një udhëtimi personal, që për shkak edhe të sallës bëhet ende më intim, tre personazhet, varin mbi shpatullat e tyre dhe tonat, përgjegjësitë që kemi, për vendimet që marrim, dhe pasojat që kanë te fëmijët tanë dhe fëmijët e së nesërmes.
