Uji që përmbyti banorët e Vaut të Dejës është tërhequr, por dëmet që la pas janë të mëdha. Mbi 100 shtëpi kanë pasur prezencë uji brenda ndërsa me dhjetëra hektarë tokë janë dëmtuar bashkë me gjënë e gjallë.
Një prej banorëve të prekur nga këto përmbytje është Ernest Paluku, që banon afër përroit të Glinës që doli nga shtrati dhe për pak minuta solli atë përmbytje të frikshme. Paluku thotë se familja e tij mund të kishin qenë edhe të vdekur aq shpejt dhe furishëm shkoi uji.
Paluku ka ikur nga banesa e tij, duke braktisur edhe biznesin që kishte nga frika e përmbytjeve edhe në të ardhmen. Banori thotë se shteti duhet të ndërhyjë me investime në lumenj e përrua.
Zëvendës Kryetari i bashkisë Vau Dejës Ervis Preçi shprehet se tashmë grupet e punës po bëjnë evidentimin e dëmeve dhe janë në gatishmëri për të ndihmuar të përmbyturit.
Vau i Dejës është bashkia më e prekur nga këto përmbytje por probleme nga vërshimi i përrenjve kishte edhe në Gurin e Zi apo Kryebushat dhe tek Harku i Bërdicës. 24 orë pas atij momenti të vështirë situata është përmirësuar.
