News 24 siguron videon ekskluzive të atentatit në Rinas, ku u vra Gilmando Dani dhe u plagos rëndë miku i tij Muçi Shaljani i njohur dhe me mbiemrin Sheqeri.
Në pamjet e siguruara nga gazetarja Klodiana Lala për News24 dhe BalkanWeb shfaqet momenti kur automjeti tip “Mercedes Benz S Class” ku udhëtonte Dani i bëhet pritë nga një automjet që kishte hapur krahun në anë të rrugës.
Sapo informohet nga persona të tjerë se mjeti ku udhëtonin Dani dhe Sheqeri dalin nga parkimi i aeroportit “Nënë Tereza”, mjeti i autorëve lëviz në anën tjetër të rrethit dhe i prej aty për disa sekonda.
Sapo makina “Benz” afrohet, tre atentatorët dalin nga makina të maskuar dhe qëllojnë me breshëri kallashnikovi. Pasi makina ku udhëtonte Dani ndalon, dy prej autorëve futen në makinë ndërsa një tjetër shkon tek mjeti benz për tu siguruar që objektivi ka ndërruar jetë.
Në video duket teksa autorit i ngec arma kthehet pas dhe autori tjetër i afrohet dhe i jep pistoletën. Pasi qëllon me armë në vendin ku Gilmando Dani ishte ulur si pasagjer, niset drejt makinës Toyota. Po me armë qëllon edhe autori tjetër drejt makinës dhe të dy së bashku hipin në mjet dhe largohen drejt Niklës.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se edhe pak orë para atentatit, mjeti i autorëve është parë të vinte po nga zona e Niklës.
Kaq i mirëmenduar ka qenë atentati saqë gjatë gjithë ditës në atë zonë nuk ka pasur energji elektrike dhe dyshohet se organizatorët e tij kanë krijuar kushtet që lëvizjet e tyre të mos filmohet nga kamerat e sigurisë.
Atentatorët dyshohet se kanë pasur informatorë që në Spanjë e deri në aeroportin e Rinasit për lëvizjet e Danit, edhe për faktin që avioni është vonuar me disa orë. Orari i mbërritjes ishte në orët e para të mëngjesit, por udhëtimi është shtyrë për në mesditë.
Hetimet zbuluan se targat e mjetit tip Toyota rezultojnë të vjedhura në Greqi vitin e shkuar. Ndërsa nuk është përcaktuar ende nëse makina është e vjedhur apo jo, pasi për shkak të djegies së saj ende nuk është rikuperuar numri i shasisë.
Mjeti u gjet i djegur pas disa minutash në fshatin Halil të Krujës me 4 armët e zjarrit Brenda, 3 kallashnikovë dhe një pistoletë.
Nga breshëria e plumbave, Gilmando Dani që kishte një vit që ishte liruar nga burgu ndërroi jetë në vend, ndërsa Muçi Sheqeri vijon të jetë në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë i intubuar. Ai mori 10 plumba në trup, dy prej të cilave në kokë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ndaloi 2 punonjës policie, të cilët dyshohet se në bashkëpunim kanë përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë në rekrutimin Muçi Shaljani pa pasqyruar në të, të dhënat të cilat përbëjnë shkak për cënimin e kushteve të sigurisë.
Bëhet fjalë për nënkomisarin Bruno Cara me detyrë specialist për hetimin e krimeve dhe Ashim Zajmi me detyrë ndihmës specialist i policimit në komunitet në komisariatin nr 3 të cilët akuzohen për ‘Falsifikim i vulave i stampave ose i formularëve’ dhe ‘shpërdorim detyre’.
