Futbollistët shqiptarë, që luajnë nëpër botë e kanë nisur vitin 2026 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke u shfaqur protagonistë me klubet e tyre respektive në arenën ndërkombëtare.
Jasir Asani ishte vendimtar në Iran, ku gjeti rrugën e rrjetës me fanellën e Esteghlal në fitoren 1-2 ndaj kryesuesve të Sephan. Sulmuesi shqiptar zhbllokoi sfidën që në minutën e 10-të, duke realizuar saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Pas barazimit të vendasve, falë një autogoli, ishte goli i Gholizadeh në minutën 90+3 që i dhuroi tre pikë të arta Esteghlal. Me këtë triumf, skuadra e Asanit ngushtoi diferencën në 5 pikë nga kreu, ndërsa për futbollistin kuqezi ky ishte goli i 7-të në 10 javë kampionat, duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve.
Vijon ecuria tepër positive edhe e Anis Mehmetit në futbollin anglez. Mesfushori ofensiv shqiptar shënoi që në ndeshjen e parë të vitit me Bristol City, në sfidën ndaj Portsmouth. Në minutën e 24-t, Mehmeti realizoi një gol spektakolar nga jashtë zone, duke dyfishuar shifrat për ekipin e tij. Ky ishte goli i 8-të sezonal për Mehmetin në Championship, ku ka regjistruar edhe 6 asistime, duke u konfirmuar si një nga lojtarët më produktivë të kampionatit dhe duke tërhequr vëmendjen e klubeve të njohura angleze.Mehmeti vijon ende të jetë në pritje të një ftese nga ekipi ynë përfaqësues.
