Nga Fatmira Nikolli
Duket se rritja e çmimeve dhe e kostove të ndërtimit sikundër ndryshimi i përparësive dhe investimet në fushën e armatimeve do të vonojë ndërtimet e institucioneve kombëtare dhe të vërë në dyshim restaurimin e burgut të Spaçit.
Në një konferencë me gazetarët, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ju ka dhënë përgjigje pyetjeve dhe shqetësimeve sa i takon ndërtimeve të Teatrit Kombëtar, Muzeut Kombëtar, Galerisë Kombëtare dhe Bibliotekës kombëtare. Pa dhënë afate, Gonxhja la të kuptohet se rritja e kostove i bën të paqarta datat e inaugurimeve.
Ndërsa Biblioteka Kombëtare, mbetet si çështje ende komplekse, fatin e saj, duket se po e ndjek edhe projekti i planin të menaxhimit dhe mandej restaurimit të burgut kamp të Spaçit. Çështja e nevojës së kthimit të tij në një vend të vizitueshëm, ku brezat mësojnë të shkuarën dhe po aq mësojnë të shmangin rikthimin e të shkuarës, duket po aq problem buxhetesh. Dhe kur buxhetet rrudhen, të drejtat e njeriut dhe po aq përballja jonë me të shkuarën, duken më të sakrifikueshme.
Në përgjigje të interesit të medias, Gonxhja tha se menaxhimi i Butrintit me fondacion ka sjellë rritje të ardhurash në milionë euro dhe në vijim do të ketë edhe një qendër vizitorësh dhe kujdes për trashëgimisë. “Modeli i ri solli 148% më shumë vizitorë dhe 318% më shumë të ardhura. Janë miliona euro më shumë në vit dhe janë potencialisht janë mundësi e mirë.
Për mënyrën se si funksionon fondacioni, jam i bindur që jemi në duar të sigurta dhe do të shohim një kujdes nga pikëpamja e konservimit, restaurimit e promovimit. Do të ketë parkim larg dhe po ashtu punojmë me regjistrimet e hipotekimet se ka pasur probleme të pronës dhe situata deri në ndërtime pa leje” tha ministri.
I pyetur për konfliktin te projekti TID në zonën arkeologjike të Durrësit, Gonxhja vuri në dukje se është një projekt tejet i rëndësishëm, si portë hyrëse në Durrës. “Kemi 74 shpronësime dhe 35 janë objekte. Është një projektet më të rëndësishëm në nivel kombëtar dhe ky është një nga amfiteatrot më të mëdha romakë në vendin tonë. Është përtej nesh e përtej qeverish dhe e kemi kërkuar ne jo AADF.
Një ndërhyrje do të ketë edhe sakrifica, e këto përbëhen nga shembje ose ndërhyrje në disa objekte. Mund të jenë në sytë e atyre që shpronëson vlerat s’janë ato që ata dëshirojnë e ndaj jemi në gjykatë. Gjykata ka vlerësuar se janë procedurat e duhura që janë ndjekur, por ndaj ka gjykata dhe procedura që rishikohen”, tha ai.
I pyetur për çështjen e projektit të kampit-Burg të Spaçit, Gonxhja la të kuptohet se ka vështirësi. “Është një përgjigje jo e lehtë sepse ai plan menaxhimi është i përafërt dhe me kohët që jetojë e me mënyrën se si lëvizin kosto e çmimet, do jetë e vështirët të jetë në atë shifër mendohet se mund të duhen 6 mln euro një ndërhyrje fillestare, jemi duke folur për vend larg e kushte të thyera.
Është e vështirë të ketë ndërhyrje të qëndrueshme, do shumë financa. Sivjet po punojmë për instrumente, nëse do arrijmë të çlirojmë fonde, mundësi që të kemi arkat me në gjendje për të adresuar edhe projekte kaq madhore do të ishte shumë mirë.
Nëse partnerët tanë si Delegacioni i Bashkimit Evropian e partnerë të ndjeshëm ndaj persekutimeve në periudhën komuniste do jenë afër nesh, do të ishte shumë mirë se janë projekte që nuk bëhen vetëm nga qeverisë. Ajo ka vlerë të jashtëzakonshme por është e vështirë të vëmë në peshore se sa vlerë ka një shtëpi në Gjirokastër e kategorisë së parë dhe duhet të kujdes edhe për objekte të tjera”, tha ai.
