Kreu i Konfindustria, Gjergj Buxhuku, ka reaguar ashpër për mbylljen e aksit Librazhd–Përrenjas pas rrëshqitjeve të dherave, duke e cilësuar situatën si një goditje të rëndë për ekonominë kombëtare.

Sipas Buxhukut, tregu shqiptar është de facto i shkëputur në disa zona, ndërsa dy porta të rëndësishme doganore, Kapshtica dhe Qafë Thana, mbeten jashtë funksionimit të plotë për shkak të bllokimit të qarkullimit.

“Qytetarët që ndodhen në këto territore të shkëputura janë në gjendje mjaft të vështirë dhe mbi të gjitha nuk dimë sa do të zgjasë kjo situatë. Është e pamendueshme të ndodhë në Shqipërinë e shekullit XXI,” u shpreh ai.

Buxhuku theksoi se nuk duhet humbur kohë me debatet mbi përgjegjësitë, por të gjendet sa më shpejt një zgjidhje konkrete, pasi çdo ditë e humbur përkthehet në miliona euro dëme për bizneset. Sipas tij, kontratat e industrive prodhuese në Korçë po dëmtohen, ndërsa dhjetëra kamionë janë bllokuar në rrugë. Ai paralajmëroi se qytetarët mund të detyrohen të furnizohen jashtë vendit dhe se Shqipëria po goditet në një nga pikat e saj më të forta – pozicionin strategjik si urë lidhëse mes Perëndimit, Jugut dhe Lindjes, pjesë e rëndësishme e Korridori VIII.

“Pasuria më e madhe e Shqipërisë nuk është nafta, por pozicioni i saj strategjik. Edhe nëse struktura riparohet nesër, besueshmëria e agjentëve tregtarë është dëmtuar ndjeshëm,” deklaroi Buxhuku në News24. Ai shtoi se nuk përjashton as mundësinë e një sabotimi ndaj Korridorit VIII, por theksoi se problemi kryesor mbetet “miksimi i korrupsionit të pafre dhe injorancës së institucioneve shqiptare”, duke nënvizuar se brenda një kohe të shkurtër kanë pësuar dëmtime disa prej veprave kryesore infrastrukturore në vend.

Buxhuku: Kreu i Konfindustria, Gjergj Buxhuku komenton mbylljen e rrugës Librazhd-Prrenjas, pas rrëshqitjeve të dherave: Tregu shqiptar është i shkëputur me pasojat që në fakt janë pasojat e një bilanci lufte. Jashtë de facto territorit të vendit janë dy portat lidhëse doganore, Kapshtica dhe Qafë Thana. Qytetarët që ndodhen në këto territore të shkëputura, janë në gjendje mjaft të vështirë dhe mbi të gjitha se dimë se sa do të zgjasë. E pamendueshme që të ndodhte në Shqipërinë e shekullit të XXI.
Nuk duhet të fokusohemi te ‘kush e ka fajin’, por të gjejmë një zgjidhje. Pasi çdo ditë e humbur përkthehet në goditje të drejtpërdrejtë financiare dhe miliona euro të humbura. Kontratat e lidhura nga industri prodhimi në Korçë, dëmtohen. Sa mund të vazhdojë kjo gjendje? Njerëzit do të detyrohen që të furnizohen jashtë. Shqipëria është goditur një zemër të saj, si një urë lidhëse mes perëndimit jugut dhe lindjes. Sikur nesër të ndërtohet struktura e goditur sot, besueshmëria e agjentëve tregtarë është zvogëluar ndjeshëm. Janë bllokuar dhjetëra kamionë në rrugë. Pasuria më e madhe e Shqipërisë nuk është as nafta, por është pozicioni i saj strategjik. Sabotim të Korridorit të 8? Nuk e përjashtoj. Por këtu është sëmundja e tmerrshme e miksimit të korrupsionit të pafre dhe injorancës së institucioneve shqiptare. Nuk është rastësi që të bie vetëm korridori 8, apo gjurma, por të kanë rënë në një kohë të shkurtër, ‘kryevepra’ infrastrukturore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: