Gazetari Poli Hoxha, i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit mes politikës dhe drejtësisë në vend, ndërsa është ndalur te hetimet që lidhen me ish-zv/kryeministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.
Sipas Hoxhës, hetimet e Prokurorisë së Posaçme nuk kufizohen vetëm te Balluku, por mund të shtrihen edhe në çështje të tjera të rëndësishme, përfshirë projekte të mëdha infrastrukturore.
Gazetari zbuloi se së fundmi është sekuestruar dokumentacioni që lidhet me projektin e Portit të Porto Romanos, një investim i konsideruar me rëndësi strategjike.
“Para pak kohësh është sekuestruar gjithë dokumentacioni për portin e Porto Romanos. Kjo është më e thellë sepse Edi Rama është futur në lojërat e korrupsionit që janë kthyer në lojëra gjeostrategjike”, u shpreh Hoxha.
Ai pretendoi se kompani të mëdha ndërkombëtare janë përjashtuar nga gara për projektin, ndërsa sipas tij është përzgjedhur një kompani me strukturë të paqartë pronësie.
“Kompania më e madhe franceze për ndërtimin e porteve është skualifikuar dhe nuk u lejua as të ankohej. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me një kompani të madhe gjermane. Në fund është gjetur një kompani që nis në Greqi, kalon në dy kompani ‘offshore’ dhe përfundon në Rusi”, deklaroi ai.
Sipas Hoxhës, të tjera hetime lidhen me marrëveshjen për hekurudhën Nish–Prishtinë–Durrës, e cila është firmosur në zyrën e presidentit amerikan Donald Trump gjatë mandatit të parë, ndërsa tenderi i fizibilitetit të projektit është fituar në vitin 2023. Tenderi përfundimtar, që sipas tij kap vlerën e rreth 700 milionë eurove, është shtyrë.
Gazetari shtoi gjithashtu se hetime të tjera mund të lidhen edhe me sektorin energjetik, duke përmendur transaksione të kryera gjatë kohës kur kjo fushë ishte nën drejtimin e Ballukut.
Hoxha komentoi edhe vendimin e Apelit për pezullimin e Ballukut, duke theksuar se ky vendim krijon një precedent për zyrtarët e lartë të qeverisë.
“Me gjetjet e SPAK mendoj se shumë shpejt mund të kërkohet edhe pezullimi i kryeministrit. Nuk kam folur me prokurorë, por duke parë informacionet që qarkullojnë mbi përmendjen e emrit të tij në hetime, kjo mund të bëhet detyrim juridik për prokurorët”, u shpreh ai.
