Ish-prokurori Eugen Beçi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e sotme në Parlament, ku mazhoranca socialiste e drejtuar nga kryeministri Edi Rama votoi kundër dhënies së autorizimit për Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për arrestimin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.

Sipas Beçit, gjatë seancës parlamentare u vunë re dy elementë që ishin paralajmëruar më herët dhe që, sipas tij, u materializuan përmes raporteve të paraqitura në Kuvend.

Ai u ndal edhe te debati për të ashtuquajturin “gjyq publik”, duke theksuar se shpesh përdoret si argument, ndërsa në praktikë situata është ndryshe.

“Diskutohet për një gjyq publik dhe të gjithë jemi kundër tij, por po përdorim termin sikur bota është portokall. Nëse mazhoranca ka krijuar gjyqe publike për këdo – për opozitarët, ish-prokurorë apo ish-gjyqtarë – ishte e pritshme që një ditë kjo t’i kthehej si pasojë. Megjithatë, për këtë rast konkret mund të themi se SPAK nuk është institucioni që nxjerr dosjet në publik, sepse për dosjen që u diskutua sot në Parlament nuk ka rrjedhur asnjë detaj në media”, u shpreh ai.

Beçi theksoi se vendimi i Parlamentit nuk e ndalon formalisht hetimin ndaj Ballukut, por sipas tij e kufizon ndjeshëm atë.

“Formalisht hetimi do të vijojë, por jo me të gjitha mjetet procedurale që parashikon Kodi i Procedurës Penale. Kjo krijon pengesa për një hetim të thelluar, efektiv dhe objektiv”, tha ish-prokurori.

Ai sqaroi se sipas nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale, për një hetim të plotë kërkohet sigurimi i provave dhe garancia që personi nën hetim të mos dëmtojë provat. Por në momentin që Parlamenti nuk jep autorizim për heqjen e imunitetit, prokuroria humbet disa instrumente kyçe.

“Në këtë rast i hiqen katër elementë kryesorë hetimit: kontrolli i banesës, kontrolli personal dhe masat e arrestit në burg ose në shtëpi. Këto janë mjete të rëndësishme për një hetim të paanshëm dhe efektiv”, theksoi ai.

I pyetur se çfarë ndodh nëse ndaj Ballukut do të ketë një ndryshim apo rëndim të akuzës, Beçi u shpreh se SPAK ka të drejtë të paraqesë një kërkesë të re në Parlament nëse shfaqen elementë të rinj penalë.

“Sapo të ketë elementë të rinj të faktit penal, rëndim të akuzës apo rrethana që lidhen me sigurinë e provave – për shembull nëse personi mund të prishë provat apo të krijojë alibi – SPAK mund të paraqesë një kërkesë të re për autorizim. Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit nuk e konsiderojnë vendimin e sotëm si një çështje të gjykuar”, përfundoi ish-prokurori.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb