Analisti Agim Baçi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e sotme në Parlament, ku mazhoranca socialiste e drejtuar nga kryeministri Edi Rama votoi kundër dhënies së autorizimit për SPAK për arrestimin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
Baçi u shpreh se vendimi i sotëm ka dëmtuar dy elementë thelbësorë të funksionimit të institucioneve: përgjegjësinë dhe llogaridhënien.
“Janë prishur dy shina me këtë gjë që ndodhi: sa mban përgjegjësi dhe sa jep llogari. Me këtë vendim është penguar llogaridhënia”, u shpreh analisti.
Sipas tij, problemi i përgjegjësisë politike kishte nisur më herët, duke shtuar se situata do të kishte qenë ndryshe nëse Balluku do të kishte dhënë dorëheqjen.
“Përgjegjësia është prishur më parë, në momentin kur Balluku nuk ka dhënë dorëheqje”, theksoi Baçi.
Ai u shpreh gjithashtu kundër gjyqeve publike, por theksoi se Parlamenti nuk duhet të pengojë procesin e llogaridhënies institucionale.
“Jam kundër gjyqeve publike, por jam në konceptin që Parlamentit nuk i takon të ndalojë lejimin e llogaridhënies, në një kohë kur vetë avokatët e Ballukut kanë thënë se nuk kanë të bëjnë me një veprim me ndikim politik”, u shpreh Baçi.
