Rreth 46 libra të rrallë të Dante Alighieri-t janë ekspozuar në sallën italiane të Qendrës “Sotir Kolea”, pranë Bibliotekës Kombëtare. Pjesa më e madhe janë libra të Komedisë Hyjnore, por nuk mungojnë edhe “Il convito” dhe “La vita nuova”, si dhe disa tituj studimorë mbi Danten e “Komedinë Hyjnore” të botuara në anglisht, frëngjisht e gjermanisht. Me botimin më të hershëm që daton më 1806, thesaret e Dantes kanë mbërritur në bibliotekë nga konfiskimet e atyre që u dënuan nga diktatura.
“Një veçanti e këtyre librave janë shënimet e njerëzve që i kanë pasur në biblioteka. Këta libra janë mbledhur nga bibliotekat e të persekutuarëve në komunizëm, që kanë qenë të arsimuar. Janë thesare kulturore”, tha Aida Baro, bibliografe.
Ndërsa institucionet kombëtare u pasuruan me thesare që ju morën me dhunë kundërshtarëve politike të sistemit represiv komunist, pak, ju jepen ish të dënuarve kredite. Shpesh e njëjta ka ndodhur edhe me përkthyesit. Por në ditën e Dantes, në bibliotekë u fol për rëndësinë e Dantes e përkthimin e tij në Shqip.
“Na kujton fillimin simbolik të udhëtimit të Dantes me ‘Komedinë hyjnore’ por edhe peshën e jashtëzakonshme që ka pasur në historinë e mendimit evropian”, tha Majlinda Toçi, zv.drejtore e BKSH.
“Nga 4 përkthime të Dantes në gjuhën shqipe, 3 janë në gegnisht. Dhe kjo sepse Komedia Hyjnore është epike dhe gegnishtja përshtatet me natyrën e rrëfimit të Dantes”, tha Meritan Spahija, përkthyes i Dantes
Librat dallohen për kurimin e kujdesshëm editorial dhe shumë prej tyre janë me ilustrime.
