Juristi dhe ish-ministri i Elmaz Sherifi, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale në Shqipëri dhe ka bërë një krahasim mes kohës së Fatos Nanos dhe situatës politike të sotme.

Sherifi theksoi se Nano ishte një figurë e veçantë për kohën e diktaturës, duke sfiduar regjimin dhe duke promovuar ndryshime politike pa u ekspozuar direkt. “Nano ishte i zgjuar, i formuar dhe me kulturë. Kishte cilësitë e duhura për një lider. Ishte liberal me shpirt demokratik dhe hyri në misionin e një qeveritari për të frenuar egoizmin e kohës,” tha Sherifi.

Ai kujtoi se Nano ka qenë një nga të parët që pati shkrime dhe intervista në “Zërin e Amerikës” bashkë me Sali Berishën për nevojën e ndryshimit të sistemit politik. Sherifi përmendi gjithashtu marrëdhënien e tij me Nanon, duke thënë se edhe kur kritikonte vendimet e tij, Nano kishte sens të drejtësisë dhe moral politik. “Në vitin 2003 më është lutur të bëhesha sekretar i PS për politikat zgjedhore dhe burimet njerëzore,” tha Sherifi.

Në kontrast, ish-ministri kritikoi qeverisjen aktuale, duke theksuar mungesën e drejtësisë dhe moralit politik në klasën e sotme politike. “Nano ishte personi që duhej në atë kohë për të frenuar egoizmin e kohës. Mendësinë e asaj kohe, fatkeqësisht e gjejmë dhe sot. Kjo është mendësi komuniste dhe i përket shtetit ligjor, jo atij të së drejtës. Nano ishte me shpirt demokratik, me prirje për të qenë i drejtë. Ndërsa sot guxo të mos bëhesh me ta në parlament dhe të fshijnë” shtoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb