Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka zhvilluar një bashkëbisedim me bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku ka paraqitur qëndrimet e kësaj force politike mbi situatën demokratike në Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale, Blushi bëri të ditur se gjatë takimit me Ionut-Marian Stroe dhe Pavel Jablonski, ai ka ngritur shqetësime për atë që e cilëson si hapa pas në zbatimin e rekomandimeve të Këshilli i Europës, veçanërisht në raport me respektimin e të drejtave të njeriut.
Blushi theksoi gjithashtu se Reforma në Drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit kanë dështuar, duke iu referuar edhe raportit të Transparency International, sipas të cilit Shqipëria ka pësuar rënie në renditje krahasuar me një vit më parë.
Në fokus të deklaratave të tij ishte edhe kryeministri Edi Rama, për të cilin Blushi pretendon se ka “kapur institucionet” dhe mbetet pengesë për integrimin europian të vendit. Ai përmendi gjithashtu çështjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe zhvillimet në Kuvend, që sipas tij tregojnë regres në standardet demokratike.
Një tjetër pikë e ngritur gjatë takimit ishte edhe çështja e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për të cilin Blushi pretendoi se mbahet në izolim prej më shumë se 18 muajsh, duke e cilësuar si “të burgosur politik”.
Në përfundim, Blushi ritheksoi angazhimin e Partisë së Lirisë për integrimin europian, duke kërkuar rikthimin e vendit në standardet demokratike dhe respektimin e shtetit të së drejtës.
