Donald Trump thuhet se ka kërcënuar të ndërpresë shitjet e armëve për Ukrainën në një përpjekje për të ushtruar presion mbi aleatët evropianë që të bashkohen me një “koalicion të vullnetshëm” për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, raportoi të mërkurën Financial Times .
Presidenti amerikan u ka kërkuar marinave të NATO-s ta ndihmojnë atë të rihapë rrugën ujore strategjike , por kërkesa është refuzuar nga kryeqytetet evropiane, të cilat kanë thënë se do të ishte e pamundur ndërsa konflikti vazhdon. Disa madje kanë thënë “kjo nuk është lufta jonë” .
Tre zyrtarë të njohur me diskutimet thanë se Trump u përgjigj duke kërcënuar të ndalonte furnizimet për PURL, iniciativën e NATO-s për furnizimin me armë për Ukrainën, e financuar nga vendet evropiane.
Si rezultat, dhe me nxitjen e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, një grup vendesh, përfshirë anëtarët kryesorë të aleancës, Francën, Gjermaninë dhe Britaninë, lëshuan një deklaratë të dakordësuar me nxitim më 19 mars, e cila thoshte: “Ne shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar në përpjekjet e duhura për të siguruar kalim të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit “.
Një zyrtar i informuar mbi diskutimet, raporton Financial Times, tha se ” ishte Rutte ai që këmbënguli në deklaratën e përbashkët sepse Trump kishte kërcënuar të tërhiqej nga PURL dhe nga Ukraina në përgjithësi. Deklarata u hartua më pas shpejt, ndërsa vendet e tjera iu bashkuan më vonë, sepse nuk kishte kohë të mjaftueshme për të ftuar të gjithë ta nënshkruanin menjëherë” .
Dy zyrtarë thanë se Rutte kishte qenë i përfshirë në një seri telefonatash me Trump dhe Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dy ditët para se të lëshohej deklarata.
Një zyrtar tjetër tha se Rutte, në telefonatat me Francën, Gjermaninë dhe Britaninë, shpjegoi se Trump ishte “absolutisht histerik” në lidhje me refuzimin e evropianëve për të ndihmuar në mbrojtjen e Ngushticës së Hormuzit.
Zyrtarët britanikë këmbëngulën se vendi i tyre dhe Shtetet e Bashkuara kishin diskutuar opsione “në nivel ushtarak” për sigurimin e ngushticës para 19 marsit, por nuk e mohuan se Uashingtoni kishte kërcënuar të tërhiqte mbështetjen për Ukrainën nëse vendet e NATO-s nuk ndërmerrnin veprime.
Në disa raste gjatë luftës, Trump ka shprehur zhgënjimin ndaj aleatëve evropianë që nuk kanë bërë më shumë për të ndihmuar luftën e SHBA-së kundër Iranit. Vetëm sot, ai madje kërcënoi të tërheqë SHBA-në nga NATO, të cilën e quan një “tigër letre”.
