Nuk e kuptoj mbi çfarë kriteresh nisen analizat e rezultateve të zgjedhjeve në Hungari dhe krahasimi me zgjedhjet në vendin tonë. Dhe kjo nuk po ndodh vetëm nga njerëz me njohuri bazike politike apo “fansa” të zhvillimeve politike, por edhe nga njerëz që janë të diplomuar dhe e dinë mirë se si merren rastet studimore, si ngrihet metodologjia e analizës dhe e konkluzioneve. Nuk presim prej tyre ndonjë artikull shkencor, por të paktën presim ndarjen e karakteristikave të secilit vend dhe të secilës demokraci.
Hungaria është një demokraci që funksionon. Dhe fakti që Orbán u mund nga një parti përsëri e djathtë, ndërkohë që e majta u shpartallua dhe pothuajse u zhduk, do të thotë që Orbán i fitonte zgjedhjet dhe nuk i manipulonte. Ndërkohë që në Shqipëri vetëm zgjedhje nuk ka, por manipulim dhe blerje masive, që janë dëshmuar dhe dëshmohen sa herë që dalin njerëz nga hiçi, pa asnjë përmbajtje, që marrin më shumë vota edhe se vetë kryeministri apo ministrat e tij.
Hungaria është një vend konservator, madje me nostalgji për traditën e vjetër mbretërore dhe perandorake, nën frymën e një krishterimi tradicional, në qendër të dy rrymave kryesore, protestantizmit dhe ortodoksisë, që qëndrojnë fuqishëm dhe ruajnë vlerat dhe historinë e tyre. Në ndryshim nga vendi ynë, ku janë shpartalluar institucionet e besimit, të dijes, të traditës dhe historisë. Ku teologët shërbejnë si makiazh për këtë republikë, që në qendër nuk ka vlerat, por oportunizmin dhe fitimin. Ku teologët janë gati të modifikojnë edhe doktrinën e vet vetëm për përfitime meskine. Dhe kur as ata, as intelektualët, nuk dinë të ngrenë zërin.
Në Hungari luftohej për kauza që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me mirëqenien e vendit, me vizionin dhe të ardhmen e tij. Me qasjen ndaj luftës në Ukrainë, në Lindjen e Mesme, ndaj liderëve të komprometuar në Lindje apo Perëndim. Dhe u votua kundër një lideri që po bëhej gjithnjë e më i pabesueshëm dhe që frikësonte qytetarët e vet se mund t’i përfshinte në konflikte që nuk i takojnë.
Ndryshe nga vendi ynë, ku askush nuk e vë ujin në zjarr pse vendi ka një kryeministër që bën lloj-lloj aventurash me rrezik të fortë kombëtar, si ato me Open Balkan, deklaratat e pashembullta në OKB, konfliktualitetin me qeverisjen e gjysmës së kombit, Kosovën, rezolutat dhe qasjet e pakujdesshme ndaj Iranit dhe Izraelit, marrëveshjen për kampet e emigrantëve, teprimin në iniciativa të ndryshme me Erdoganin për përçarje të faktorit të brendshëm dhe të jashtëm, si dhe dhurimin e portit pa konsensus me organizmat e NATO-s.
Në Hungari, Orbán humbi për disa arsye kryesore. Faktori Péter Magyar, ish-bashkëpunëtori që u kthye në sfiduesin kryesor, duke i marrë vota nga brenda krahut politik, çka u tregua edhe nga pjesëmarrja rekord, që dëshmon se janë shtuar shumë të tjerë konservatorë me qëndrime atdhetare që më herët nuk kishin dalë në votime. Ndryshe nga vendi ynë, ku përveçse refuzojnë të dalin, pjesëmarrja është e ulët, por edhe ikin me qindra mijëra shqiptarë çdo vit.
Një pikë shumë e rëndësishme ishte edhe skandali i pedofilisë. Falja e një bashkëpunëtori të një pedofili shkatërroi moralin e kauzës së tij “pro familjes”. Kjo u faktua nga protestat më të mëdha të bëra në disa dekada, vetëm dy vite më parë. Ndërkohë që në vendin tonë mund të shpërthejnë lloj-lloj skandalesh dhe nën zë flitet në çdo kafene për video skandaloze dhe marrëdhënie jashtë çdo logjike, por askush nuk reagon. Madje, edhe kur dalin me zë dhe figurë, prapë pushteti i fiton zgjedhjet, si në Kukës pas skandalit me Gjicin.
Ndërsa në Hungari u votua kundër Orbán për arsye konkrete si ekonomia në krizë, inflacioni rekord dhe rritja e kostos së jetesës që rënduan qytetarët; izolimi nga BE, që solli bllokimin e fondeve; lidhja me Rusinë, që u kthye në barrë politike pas krizave energjetike me Ukrainën; si dhe konsumimi 14-vjeçar i pushtetit, që solli lodhje dhe akuza për korrupsion në rrethin e tij.
Gjithçka që në Shqipëri duket sikur nuk bën sens për analizë, sepse çdo gjë kalkulohet dhe manipulohet, ose brenda sistemit, ose te mendja dhe dora e atij që voton.
