Emisioni investigativ Vetting, News24

DYSHIMET FINANCIARE DHE LIDHJET E BRENDSHME
Sipas strukturave hulumtuese, gati 80% e kontratave të blerjes janë realizuar nga “R&T” sh.p.k. Ndërkohë, burimet thonë për “Vetting”, se përpos dyshimit të shmangies së taksave, çështja bëhet dhe më komplekse për shkak të lidhjeve personale dhe profesionale midis dyshes, Ervis Myftari dhe R.T.

Dyshohet se Elda Zhonga, personi me të cilin bashkëjetonte Myftari, ka qenë e punësuar në kompaninë “R &T”. Zhonga ka punuar aty nga prilli i vitit 2017 e deri në mars të vitit 2020 dhe paguhej me një rrogë mujore prej 47 mijë lekësh të reja.

Hulumtimet e “Vetting” gjetën pranë dokumentave të autorizimit të kompanisë “R & T” se Myftari autorizohej për vendime të R.T që nga viti 2010, duke vazhduar në vijmësi edhe në disa autorizime të tjera në vitin 2021. Po ashtu, sipas raportimit të burimeve, Myftari ka qenë punonjës i R.T nga korriku i vitit 2017 e deri në gusht të vitit 2022, me një pagë mujore prej 41 mijë lekësh të reja.

Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, këto dy kompani kanë patur përgjatë viteve të njëjtët ekspertë kontabël. Bëhet fjalë për kontabilistin e pavarur Jorgji Zallëmi, i cili nga dokumentet e paraqitura për bilancin kontabël të kompanisë “R & T”, figuron si i angazhuar që në vitin 2007, e duke vazhduar më tej.

“Vetting” ka arritur të identifikojë emrin e tij në bilancet e prezantuara pranë QKB-së, deri në vitin 2018, ndërkohë Zallëmi ka punuar gjithashtu dhe për “Consulting & Management Albania” të Myftarit, nga viti 2008 e deri në vitin 2018.

Listës së kontabilistëve të përbashkët i shtohet dhe kompania “Tirana Auditing 3”, me administrator Nexhip dhe Drilona Çeçi. Rezulton se Nexhipi ka punuar që në vitin 2005 për “R & T”, ndërkohë që përgjatë viteve, ka patur edhe rolin e një audituesi. Megjithatë, kompania e Çeçit është regjistruar zyrtarisht si kontabilist për “R & T” në vitin 2020, ndërsa te kompania e Myftarit në vitin 2024.

“Fakti që përdoret i njëjti kontabilist apo e njëjta zyrë kontabiliteti nga dy komapni që kanë marrëdhënie me njëra-tjetrën ose futen në të njëjtin tender, apo përdorin faturat e njëra-tjetrës për të justifikuar marrëdhënie, është një indicie për dyshim. Nuk do të thotë në mënyrë të padiskutueshme që kryhet evazion fiskal apo veprime të tjera të paligjshme, por është një sinjal për organet tatimore dhe prokurorinë për të hetuar”, shpjegon më tej avokati Redi Ramaj.

Ekspertët ngrenë pikëpyetje mbi faktin se si dy kompani të mëdha mund të kenë të njëjtët ekspertë kontabël, duke lënë hapësirë për dyshime mbi lidhje të mundshme mes tyre. Në hetimet fiskale, kombinimi i përqëndrimit të furnizimeve me lidhje familjare konsiderohet si një indikator klasik i ndërvarësisë ekonomike. Ekspertët po ashtu hedhin dyshime mbi kreditimin e TVSH-së dhe shpenzimeve të fryra.

Sipas dokumentit të siguruar, janë evidentuar fatura të dyshuara si të pafiskalizuara në kohë, mospërputhje mes qarkullimit bankar dhe shitjeve të deklaruara dhe diferenca të konsiderueshme mes deklarimeve vjetore.

Burimet theksojnë se këto elementë mund të përbëjnë mekanizma për kreditim të padrejtë të TVSH-së, rritje artificiale të shpenzimeve dhe ulje fiktive të fitimit të tatueshëm. Ndërkohë që dyshohet se shumica e të ardhurave të “Consulting & Management Albania” vijnë nga Albcontrol, një pjesë e madhe e tyre blihet nga kompania “R & T”.

Për më tepër, nga informacionet e siguruara, këto kompani kanë staf teknik të punësuar, të cilët paguhen me paga minimale, si përshembull, inxhienierë e arkitektë me paga rreth 50 mijë lekë të reja. Ekspertët fiskalë e konsiderojnë nëndeklarimin e pagave, si një nga elementët më të zakonshëm të evazionit fiskal indirekt.

Sa i përket deklarimit të pagavem kjo mund të jetë fillimisht shkelje administrative, por kërkon verifikim nga organet tatimore. Duhet parë nëse kompania ka kapacitet për të paguar paga normale. Nëse një kompani ka të ardhura të mëdha dhe paga minimale, shumë të ulëta në raport me to, kjo ngre dyshime për abuzim dhe kërkon hetim”, shton avokati Ramaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb