Deputeti i PD, Sajmir Korreshi ka reaguar ashpër ndaj situatës së fermerëve të Myzeqesë.

Korreshi tha se sistemi punon në shumë raste dhe qytetarët sorollaten, kurse ish-drejtoresha jo vetëm bëri pasuri miliona euro, por edhe hiqej si e pastrehë, ndërkohë që relaksohej pishinave.

“Kishte probleme sistemi, del pas 7 ditësh, paguan edhe kamat vonesën, se të thotë s’punonte sistemi, se i hëngri AKSHI, shishja e verës 200 mijë euro. I duheshin AKSHI-t se ishte hallexhie, ishte pa shpi, ishte me qira. Ajo rrinte në pishinë, oh-oh-oh, ne i jepnim para. Dolën një shtëpi, dy, tre katër, një gllënjkë 1 mijë euro, me jaht, në shërbim të popullit, edhe jahtin, patjetër, lodheshin shumë. Si Jovan Bregu, do magazinier, na bëhu magazinier.

Të marrim njerëz peng dhe t’i detyrojmë të tërhiqen, pse budallenj jemi ne, me verë atje, me arkë e brenda. Të dhënat tona te AKSHI, që e sulmuan iranianët, janë bërë si ato çorapet e grisura e që i var e duken atje vrima-vrima. Ky është sistemi i AKSHI-t. Po të vesh atje të presin me buzëqeshje “s’ka sistem, s’punon sistemi” thonë… shëndet e fjalë e vërtetë (i thotë një deputeti që tështin në sallë)”, vijoi ai.

Në fjalën e tij në seancën plenare të së enjtes, Korreshi u ndal dhe tek situata ekonomike e fermerëve të cilët nuk i dëgjon kush.

“Ishte koha kur aplikohej për lekët e naftës dhe u jepej atyre të Partisë Socialiste dhe çfarë mbetej, ndonjë pikë nafte, shërbeheshin për të tjerat. A quhet shërbim kur përmbytesh, apo kur u përmbytën mijëra hektarë në Lushnjë, apo kur uji vjen pik-pikë. Merr ndihmë ai me 5 lopë, por jo ai me 3 apo 4, pse?

Mbarështimin e derrave thotë Ministria e Bujqësisë, se po s’pate 5 derra… në kufijtë e qesharakes, kjo është tallje. Ka vajtur domatja 5 mijë lekë, shërbim. Deri në këto kushte kemi arritur, që të hajë Myzeqeja domate me 5 mijë lekë, apo speci, se i griu ngrica. I shërbeu njeri këtyre? Askush”, tha Korreshi.

Duke mbyllur fjalën e tij, Korreshi theksoi se qytetari është lënë në kushte mizerable dhe po kështu sektori i bujqësisë që po vuan nga kriza.

“Tërbohesh… Kjo është e vërteta e hidhur! Qytetari është lënë në kushte mizerabël, bujqësia në kushte mizerabël. Ministria e Bujqësisë u thotë “ngrohuni njëherë në diell dhe me kismet flasim prapë” dhe kur vjen koha sistemi nuk punon prapë. Sistem gjithandej dhe sistemi spunon askund. U lumtë atyre të AKSHI-t, ata ikën në drejtim të paditur, ju i kërkoni në drejtim të paditur, vera iku në drejtim të paditur, vetëm jahti mbeti në port, meqë do bëni edhe këto portet e reja, të lozin këta të paditurit e tjerë se çfarë ndodh me paditurinë e sistemit tonë”, përfundoi deputeti i PD.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb