Deputeti i Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto ka komentuar zhvillimet politike në vend, sidomos të asaj çka ndodh brenda Kuvendit. Ai tha se të gjitha palët, sidomos mazhoranca, duhet të ishte më e disponueshme për të dialoguar.

Ai tha në një intervistë për emisionin ‘Kjo javë’ në News24 se ka polarizim ekstrem në Kuvend, gjë që sipas tij e thonë dhe raportet e huaja. Haxhinasto tha se opozita keqtrajtohet.

“U bë një debat nga kryetari i Komisoni të Arsimit, për ligjit të Agjencinë Kombëtare të Arsimit. Ai kërkoi fjalën për t’iu përgjigjur ministres, por nuk e mori fjalën. Më pas grupi parlamentar i PD vendosi që të largohej nga salla. Mund të bëhej dhe ndryshe, që debati të bëhej i plotë. Që t’i jepej zotit Boçi fjala. Gjithmonë ka vend për të bërë ndryshe dhe për t’i shërbyer publikut, që këto ligje mos të kalonin si padashje. Nëse do të kishte një vullnet të mirëfilltë politik për të krijuar një debat konstruktiv, ka vend nga të gjithë faktorët, përfshirë dhe zotin Peleshi, për debatin në Kuvend. Në përgjithësi, për komisionet dhe në Kuvend, për çështje me rëndësi, mbesin peng i disa procedurave formale që amplifikohen nga mazhoranca. Ka shumë vend për t’u përmirësuar dhe treguar se ka respekt të mirëfilltë për bashkëpunimin politik dhe përfaqësuesit e opozitës, pasi ata janë në minorancë. Një rast flagrant ishte ligji për portet. Po ashtu dhe ligji për barazinë ligjore që u paraqit sikur ishte me përafrim të legjislacionit të BE, por vetëm 6 vende kanë diçka të ngjashme me të.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: