Dinamo ndodhet në një moment vendimtar të sezonit, aty ku çdo ndeshje merr peshën e një finaleje dhe çdo pikë mund të ndryshojë rrjedhën e objektivave. Fitorja e së enjtes ndaj Vllaznisë në Kupën e Shqipërisë, ka rikthyer qetësinë në kampin blu dhe besimin se në fundin e kampionatit, mund të arrihen edhe të tjera objektiva dhe të ngushtohet diferenca me vendet e para në klasifikim.

Katër javët e fundit të kampionatit vijnë në një kohë kur gara për “Final 4” është më e hapur se kurrë, ndërsa diferencat mes skuadrave që synojnë zonën e sipërme mbeten të konsiderueshme, por jo të pakapërcyeshme. Për blutë e kryeqytetit, ky është një moment ku duhet balancuar presioni i rezultateve me menaxhimin e kalendarit, i cili në letër ofron disa avantazhe të rëndësishme që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në renditjen përfundimtare.

KALENDARI- Rruga e Dinamos në këto katër javë nis me një transfertë ndaj Flamurtarit, një kundërshtar që lufton për mbijetesë dhe që zakonisht bëhet i rrezikshëm në faza të tilla të sezonit. Më pas, skuadra rikthehet në Tiranë për dy ndeshje radhazi në shtëpi, fillimisht përballë Egnatias, një rivale direkte në tabelë, dhe më pas kundër Vorës, një tjetër sfidë ku fitorja konsiderohet detyrim. Kalendari mbyllet me derbin ndaj Partizanit, një përballje që pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në renditje dhe në fatin e vendit të katërt. Fakti që tre nga këto katër ndeshje zhvillohen në kryeqytet i jep Dinamos një mundësi të artë për Dinamon për të përfituar që të afrohet me shumë me Vllazninë dhe Elbasanin që tashmë kanë siguruar matematikisht “Final 4”.

Sa i përket përballjeve direkte, për Dinamon janë të paktën 3 ndeshje që këtë sezon kanë folur poizitivisht për ta. Kështu, Flamurtarin e ka mundur në 2 ndeshje dhe ka barazuar të tretën ndërkohë që këtë të hënë do të luhet përballja e fundit mes tyre për këtë seNDESHJET E MBETURA zon. Menjëherë pas Flamurtarit, Dinamo do të presë në shtëpi Egnatian, një rival të cilin e ka mundur në dy finale të njëpasnjëshme dhe por ende në kampionat, teksa së bashku kanë edhe një finale, atë të Kupës së Shqipërisë. Pas Egnatias, do të jetë përballja me Vorën, një tjetër rival ndaj së cilës ka arritur të dominojë dukshëm këtë sezon. Vora është kundërshtari i vetëm të cilën Dinamo e ka mundur 3 herë këtë sezon në përballjet e luajtura. Javën e fundit, Dinamo do të përballet me Partizanin dhe për dy skuadrat, me shumë gjasa do të jetë një përballje që mund të vendosë zyrtarisht fatet e skuadrave në “Final 4”, duke qenë se aktualisht janë barazim pikësh dhe deri në atë sfidë, dy skuadrat mund të jenë barazim pikësh ose me diferencë të ngushtë mes tyre pasi janë pak javë në dispozicion.

RENDITJA- Në aspektin e klasifikimit, Dinamo ndodhet në vendin e katërt me 45 pikë, në një garë të drejtpërdrejtë me Partizanin që ka të njëjtën kuotë pikësh. Mbi ta qëndron Egnatia me 54 pikë, ndërsa dy vendet e para mbahen nga Vllaznia dhe Elbasani me një diferencë të konsiderueshme. Kjo situatë e bën të qartë se objektivi kryesor për Dinamon mbetet sigurimi i një vendi në “Final 4”, ndërsa çdo hap fals mund të rrezikojë seriozisht këtë pozicion. Nga ana tjetër, një seri rezultatesh pozitive në këto javë mund të afrojë skuadrën edhe më pranë rivalëve të drejtpërdrejtë dhe të rrisë besimin për fazën finale. Fakti që të gjitha skuadrave do t’u përgjysmohen pikët në “Final 4”, do ta bënte Dinamon një nga skuadrat pretendente nëse në këto javë arrin të rikuperojë pikë të lëna gjatë rrugës.

AVANTAZHI- Një nga elementët më të rëndësishëm në favor të Dinamos është përqendrimi i ndeshjeve në kryeqytet. Përveç tre sfidave të kampionatit që luhen në Tiranë, në rast kualifikimi në “Final 4”, edhe kjo fazë vendimtare do të zhvillohet në të njëjtin ambient, duke i dhënë skuadrës një avantazh të qartë. Mbështetja e tifozëve edhe pse kanë qenë të paktë këtë sezon, mungesa e udhëtimeve dhe njohja e terrenit janë faktorë që në këtë pikë të sezonit mund të bëjnë diferencën, për më tepër që si Elbasani, ashtu edhe Vllaznia e Egnatia do të detyrohen të luajnë në transfertë, ndryshe nga sezoni i shkuar ku ishte edhe Partizani pjesë e kësaj gare finale.

OBJEKTIVI- Përtej kampionatit, Dinamo ka edhe një tjetër mundësi të artë për të shpëtuar dhe kurorëzuar sezonin, finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Egnatias, e cila do të luhet në “Air Albania”. Edhe kjo sfidë zhvillohet në kryeqytet, duke e bërë edhe më të theksuar faktin që fundi i sezonit për blutë është i lidhur ngushtë me ndeshjet në shtëpi. Nëse skuadra arrin të shfrytëzojë këtë kalendar të favorshëm dhe të ruajë qëndrueshmërinë në rezultate, atëherë jo vetëm që mund të sigurojë një vend në “Final 4”, por edhe të synojë fitimin e një trofeu që do t’i jepte vlerë të plotë gjithë këtij sezoni e për më tepër, do t’i siguronte një vend në Europë që tashmë duket më afër.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: