Një denoncim i mbërritur në redaksinë e emisionit investigativ TakFak në News24 ka nxjerrë në pah një situatë shqetësuese në fshatin Slabinjë, pjesë e zonës së Mokrës së poshtme, ku raportohet për prerje masive të pyjeve.

Sipas denoncuesit, Alban Çela, prej kohësh në këtë zonë po kryhen prerje të paligjshme, pavarësisht se bëhet fjalë për një zonë të mbrojtur. Ai ka siguruar foto dhe video që, sipas tij, tregojnë qartë shkatërrimin e përditshëm të sipërfaqeve pyjore.

Gazetarët e “TakFak” kanë udhëtuar drejt Slabinjës, ku kanë konstatuar nga afër pemë të prera dhe të stivosura përgjatë rrugëve, gati për t’u transportuar. Banorë të zonës pohojnë se kjo situatë vijon prej vitesh, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërhyrë.

Gjatë verifikimeve në terren janë dëgjuar edhe zhurma sharrash në pyll, ndërsa është vërejtur një furgon i bardhë që priste të ngarkonte lëndë drusore. Mësohet se automjeti është në pronësi të Ilir Beqollari, i cili pranon se mjeti i tij është përdorur për transport drusor, por refuzon të identifikojë personin që ka kërkuar shërbimin.

Nga ana tjetër, kryeplaku i fshatit, Xhevat Bego, mohon të ketë dijeni për prerje të paligjshme në zonë, duke kundërshtuar pretendimet e denoncuesit.

Situata ka sjellë përplasje mes banorëve, denoncuesit dhe përfaqësuesve lokalë, ndërsa askush nuk merr përgjegjësi për prerjen e pyjeve. Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi kontrollin dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura, si dhe mbi rolin e institucioneve në parandalimin e shkatërrimit të mjedisit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb