Emisioni investigativ TakFak në News24 është rikthyer në fshatin Slabinjë, dy javë pas denoncimit për masakrën pyjore, duke konstatuar se stivat e druve të evidentuara më parë janë zhdukur plotësisht.
Sipas raportimit, zona ku më herët ndodheshin sasi të mëdha druri të prerë është pastruar, ndërsa në terren kanë mbetur vetëm trungjet dhe një pyll i dëmtuar rëndë. Megjithatë, dyshimet për vijimin e prerjeve të paligjshme mbeten.
Gjatë rikthimit në zonë, gazetarët kanë takuar kryeplakun Xhevat Bego dhe Ilir Beqollari, i cili më herët ishte identifikuar si pronar i një furgoni që përdorej për transport druri. Beqollari këtë herë ka refuzuar të flasë dhe ka kërcënuar gazetarin me denoncim, duke shmangur përgjigjet mbi rolin e tij në këtë aktivitet.
Situata është tensionuar më tej edhe nga ndërhyrja e familjarëve të tij, ndërsa kryeplaku është shoqëruar nga gazetarët në vendin ku më parë ishte kapur një automjet duke ngarkuar dru. Megjithatë, vendi rezultonte i pastruar.
Pavarësisht përpjekjeve për të kontaktuar sërish Beqollarin, ai nuk është paraqitur.
Në një moment, kryeplaku ka lënë telefonin hapur, duke bërë që të regjistrohen biseda me persona të tjerë, përfshirë Beqollarin dhe familjarë të tij, çka sipas “TakFak” ngre dyshime për koordinim dhe lidhje mes tyre lidhur me prerjet e paligjshme
