Në Universitetin Luarasi zhvilloi punimet konferenca e parë Shkencore Studentore mbi Drejtësinë, Ekonominë, Teknologjinë dhe Mjekësinë, ku morën pjesë me referime studentët që janë vlerësuar me rezultatet më të larta në tezat e Diplomës së Masterit. Në prani të Zëvendësrektores së Universitetit Luarasi, Prof. Dr. Anni Dasho dhe 4 dekanëve, studentët prezantuan punimet e tyre, si dhe iu përgjigjën pyetjeve të të pranishmëve.
Studentët e Universitetit Luarasi nga Fakulteti i Drejtësisë, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit, si dhe Fakultetit të Shkencave Mjekësore e vlerësuan këtë konferencë si një mundësi të vyer në rrugëtimin e tyre profesional. Geron Kamberi, Drejtuesi i Zyrës së Kërkimit Shkencor në Universitetin Luarasi tha se kjo konferencë u ofron mundësinë studentëve të jenë jo thjesht marrës të dijes, por prodhues të saj, gjë që do t’iu shërbejnë në rrugëtimin e mëtejshëm akademik.
Në përfundim të konferencës së parë shkencore studentore, kumtesat e studentëve që referuan do të botohen në revistën e Universitetit Luarasi. Në mbështetje të inovacionit dhe ekselencës, kjo konferencë organizuar nga Luarasi vjen si një mundësi e shkëlqyer për studentët, pasi i afron më shumë ata drejt kërkimit shkencor dhe mendimit kritik.
