Deputeti dhe kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke u ndalur veçanërisht te diskutimet për kodin e ri zgjedhor dhe vendosjen e pragut prej 4% për partitë politike.
Shehaj u shpreh kritik ndaj propozimit, duke argumentuar se sistemi aktual penalizon partitë e reja dhe favorizon partitë e mëdha.
“Partitë që kanë garuar vetëm, Mundësia ka marrë mbi 3%, Lëvizja Bashkë 1.5%, pastaj koalicioni Shabani-Lapaj me 4%. Me këtë sistem asnjë parti nuk futet”, u shpreh ai.
Sipas tij, pretendimet se reforma zgjedhore është në favor të partive të reja nuk qëndrojnë në praktikë.
“Unë nuk e kuptoj si mund të thuhet se është bërë një sistem në favor të partive të reja, kur me këtë sistem partitë e reja do ishin zhdukur në zgjedhjet e fundit”, tha Shehaj.
Ai ngriti gjithashtu pyetje mbi vetë procesin e negociatave politike.
“Për çfarë të shkonim në tryezë, për të diskutuar vrasjen? Mblidhen partitë dhe thonë hajdeni ju se kemi një propozim si të zhdukim partinë tuaj?”, deklaroi ai.
Sipas Shehajt, sistemi i propozuar synon të kufizojë hapësirën e partive të reja dhe të forcojë dominimin e dy forcave kryesore politike.
“E vërteta është që ky sistem ka qëllim të zhdukë partitë e reja. Ky është shqetësimi i partive të mëdha, PD dhe PS, duan të kenë monopolin e opozitës dhe mazhorancës”, tha ai.
Ai solli edhe një shembull nga zgjedhjet vendore në Tiranë, duke kritikuar qëndrimet e PD-së.
“Për Bashkinë e Tiranës hodhëm një propozim për të mundur Edi Ramën. Nxjerrim një kandidat jashtë partive politike dhe ne si Partia Mundësia e mbështesim. Tani pasi doli Florjan Binaj si kandidat, Berisha doli të nesërmen tha se do ulet me Ramën për të ulur numrin e deputetëve”, u shpreh Shehaj.
Ai përfundoi duke thënë se është e pamundur të ketë bashkëpunim me parti që, sipas tij, synojnë eliminimin e forcave të reja politike.
