Spektakël dhe emocione në një tjetër natë të playoff-eve të NBA-së, aty ku seritë po hyjnë në momentet më të rëndësishme të sezonit.

Pas humbjes dramatike në sfidën e parë, San Antonio Spurs reaguan në mënyrën më të mirë të mundshme, duke dominuar Minnesota Timberwolves me rezultatin e thellë 133-95 dhe duke barazuar serinë në 1-1. Skuadra teksane kontrolloi ndeshjen që në start, falë një mbrojtjeje agresive që lejoi vetëm 35 pikë për kundërshtarët në pjesën e parë.

Në qendër të suksesit ishte sërish Victor Wembanyama. Francezi zhvilloi një tjetër paraqitje bindëse, duke e mbyllur takimin me 19 pikë dhe 15 kërcime, një performancë që konfirmon rolin e tij si lideri i ri i Spurs në këto playoff-e.

Fitore të rëndësishme morën edhe New York Knicks, që triumfuan 108-102 ndaj Philadelphia 76ers dhe tashmë kryesojnë serinë 2-0. Ndryshe nga përballja e parë, kjo sfidë ishte shumë më e ekuilibruar dhe u vendos vetëm në minutat finale.

Heroi i mbrëmjes për New York-un ishte Jalen Brunson. Organizatori i Knicks mori përgjegjësitë në momentet më të nxehta të ndeshjes, duke realizuar 11 nga 26 pikët e tij totale në çastet vendimtare dhe duke udhëhequr skuadrën drejt një tjetër fitoreje të rëndësishme.

Në krahun tjetër, Philadelphia vazhdon të vuajë mungesën e Joel Embiid. Ylli i 76ers mbetet jashtë për shkak të problemeve fizike dhe mungesa e tij po ndihet ndjeshëm, sidomos në momentet decisive të serisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb