Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka deklaruar se opozita nuk i njeh zgjedhjet e 11 majit, ndërsa paralajmëroi vijimin e protestave dhe aksioneve politike kundër qeverisë.
I ftuar në emisionin “Studio24”, Baçi u shpreh se vendi ndodhet “në një autokraci dhe në pushtetin e një njeriu të vetëm”, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama.
Deputeti demokrat theksoi se pjesëmarrja e opozitës në Kuvend nuk do të thotë njohje e rezultatit zgjedhor.
“Prania jonë në Parlament nuk tregon njohje të zgjedhjeve. Bojkotimi i parlamentit ose dorëzimi i mandateve nuk ka sjellë gjë pozitive, ishte gabim i pafalshëm i opozitës kur është bërë. Vajtja në parlament nuk legjitimon qeverinë”, deklaroi ai.
Baçi paralajmëroi se Partia Demokratike do të vijojë protestat dhe format e tjera të reagimit qytetar.
“PD vijon dhe do kemi protesta me të gjitha mjetet, mënyrat dhe format për të treguar atë që kemi thënë. Do kemi protesta edhe me forma të tjera. Do vijojmë me protesta, revoltë, zemërim dhe thirrje qytetarëve. Do jemi në krah të tyre”, u shpreh deputeti demokrat.
Ai komentoi edhe sulmet e kreut të PD-së, Sali Berisha, ndaj ambasadorit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, duke mbrojtur qëndrimin kritik të opozitës ndaj ndërkombëtarëve.
“Ndërkombëtarët që janë për t’u atakuar do t’i atakojmë për qëndrimet që mbajnë kur shohim se nuk janë qëndrime të drejta. Kompleksi që ndërkombëtarët kanë gjithnjë të drejtë, nuk janë Zeusi, nuk kanë zbritur nga qielli në tokë”, deklaroi Baçi.
