Fitore e rëndësishme për Manchester City në garën për titullin kampion në Premier League. Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola mposhti 3-0 Crystal Palace në ndeshjen e prapambetur të javës së 31-të dhe afrohet në vetëm dy pikë nga kryesuesit e Arsenal.
Në “Etihad Stadium”, sfida nis me ritëm të lartë dhe me miqtë që provojnë të surprizojnë në minutat e para, por me kalimin e kohës City merr kontrollin e lojës. Zhbllokimi vjen në minutën e 32-të: Phil Foden shërben saktë për Antoine Semenyo, i cili dërgon topin në rrjetë për 1-0.
Vendasit vazhdojnë presionin dhe vetëm tetë minuta më vonë gjejnë edhe golin e dytë. Sërish protagonist Foden me asistin vendimtar, këtë herë për Omar Marmoush, që realizon pa gabuar për 2-0.
Në pjesën e dytë, skuadra e Guardiolës administron qetësisht avantazhin dhe kontrollon posedimin e topit pa shumë vuajtje. Në minutën e 84-t, Rayan Cherki shpik asistin për Savinho, i cili vulos rezultatin përfundimtar 3-0.
Pas ndeshjes tekniku Guardiola, I pyetur për rrotacionin që kishte kryer në formacion për shkak të finales së FA Cup ndaj Chelseat të shtunën theksoi: “Sigurisht, kemi finalen e FA Cup, por kemi edhe vetëm tre ditë kohë. Chelsea do të qëndrojë në shtëpi duke u përgatitur për finalen. Ne duhet të udhëtojmë drejt Londrës, ndërsa ata do të jenë në shtëpi. Kjo do të thotë lodhje, lodhje dhe vetëm lodhje. Kam besim të plotë te e gjithë skuadra. Mjafton të imagjinoni lojtarët që nuk luajtën sot, janë shumë të fortë.”, theksoi ndër të tjera Pep.
Me këtë sukses, Manchester City ngjitet në kuotën e 77 pikëve dhe mban të hapur garën për titull. Arsenal kryeson me 79 pikë, por me vetëm dy javë të mbetura deri në fund të sezonit, beteja për Premier League mbetet plotësisht e hapur.
