Bylisi e ka mbyllur sezonin, por janë lojtarët ata që vijojnë punën sipas një programi enkas për këtë periudhë post-kampionat. Kuptohet, pjesa dërrmuese e tyre, duke qenë se disa janë me leje, teksa bien në sy elementët e rinj që kanë luajtur jo vetëm me skuadrën e parë, por edhe me ekipin B dhe moshat.
Pjesa më e madhe e tyre spikati në edicionin që sapo u mbyll dhe duhet thënë se pritet të kenë më shumë besim në kampionatin e ardhshëm, duke qenë se e njohin më mirë ambientin dhe kampionatin, por edhe për faktin se kanë fi tuar më shumë eksperiencë. Në Ballsh tashmë presin hapjen e merkatos dhe pritet që klubi mallakastriot të shesë disa nga “xhevahirët” e vet, jashtë dhe brenda vendit.
Në fakt, presidenca, së bashku me studiot menaxheriale me të cilat bashkëpunon, synon t’i transferojë disa lojtarë të rinj dhe shumë premtues jashtë vendit, por kjo mbetet për t’u parë në varësi të ofertave që do të vijnë në vijim. Pritet që të jenë gati një “formacion” i plotë largimesh, por klubi nuk do të nxitohet. Mallakastriotët në janar shitën Peraltën, Abazajn, por edhe Momon dhe Mustafën, ndërsa në verë pritet të ketë më shumë lëvizje në dalje. Klubi ndjek një strategji të qartë me lojtarët, duke i promovuar dhe më pas duke i shitur. Pas 31 majit hapet merkato dhe aty pritet të ketë edhe ndonjë largim nga Bylisi, për ata që nuk kanë bindur ose që u ka përfunduar kontrata me klubin mallakastriot.
Nga ana tjetër, duhet theksuar se në Ballsh do të ketë edhe risi sa u përket talenteve, pasi këtë sezon janë aktivizuar disa prej tyre në skuadrën e parë, ku më i riu debutoi 16-vjeçari Petro Marku, vëllai i futbollistit dhe kapitenit Aurel Marku, por edhe Adeduro, Çypi, Buraneli, Emini, Adepoju, Akibu, Sahid, Bahaj etj. Bylisi, edhe pse nuk ka ende një vendim të Komitetit Ekzekutiv për ndryshim strukture dhe nëse luan në Kategorinë e Parë, e ka skuadrën gati për sezonin e ri, madje me cilësi dhe shumë talente. Në qershor, në klubin mallakastriot pritet të nisë një cikël i ri, me më shumë ambicie dhe projekte konkrete…
