Më rënien e Murit të Berlinit, përplasja e madhe mes bllokut perëndimor dhe atij lindor u duk se mbaroi. Si çdo përplasje ajo pati një fitues dhe një të mundur. Perëndimin që përmes demokracisë liberale, ose e thënë më mirë republikave kushtetuese, dominoi me një supremaci shkëlqyese mbi lindjen komuniste, nga Balltiku deri në Kinë.
E natyrisht që dy “titanët e betejës” ishin dhe vendet udhëheqëse të kampeve respektive, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në njërën anë dhe Bashkimi Sovjetik në anën tjetër. Gara e armatimeve ishte gara e fundit që përcaktoi fituesit dhe humbësit në këtë llogore 45-vjeçare.
Por në thelb fitoi humanizmi i perëndimit që në qendër të interesit të vet kishte individin me liritë dhe të drejtat e tij politike dhe ekonomike, ndaj totalitarizmit që në “emër të popullit“, varfëroi gjysmën e globit e shkaktoi rreth 150 milionë viktima sipas “Libri i Zi i Komunizmit”, shkruar nga një grup autorësh 3 dekada më parë.
Kjo fitore që erdhi si pasojë e përplasjes mbase më të madhe politike që ka parë njerëzimi, u pasua nga një periudhë e çuditshme ku të vetmet përplasje ishin ato rajonale apo të brendshme me karakter etnik ose fetar, kryesisht në Afrikë apo Lindjen e Mesme.
Konflikte lokale që nuk ishin pjesë e ndonjë konjukture më të madhe në shkallë botërore si gjatë Luftës së Ftohtë. Pas antagonistëve nuk qëndronte askush përveç interesave lokale qoftë edhe me background historik. As përplasjet e SHBA me Irakun e Afganistanin nuk mund të konsiderohen gjë tjetër përveçse konflikte dypalëshe.
Por ndryshe nga raste të tjera të ngjashme, pas 11 shtatorit që zgjoi SHBA nga “dehja e paqes së përhershme” së post-luftës së ftohtë, këto dy përplasje dhanë sinjalet e para të një stuhie që po vinte 2 dekada më vonë. Pikërisht tani në 4 vitet e fundit me nisjen e konflikteve në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, që kulmon me luftën me hope mes SHBA e Izraelit në një anë dhe Iranit e levave të veta në anën tjetër. Por a është ky një konflikt veçse me bazë fetare e rajonale? Në pamje të parë po. Por nëse analizojmë me qetësi kontekstin e jashtëm dhe të brendshëm të SHBA dhe Evropës, natyrisht që jo.
Pasi ky trazim i fortë ka shtrirje dhe vetë brenda shoqërive perëndimore e sidomos në Evropë, aty ku gjen më shumë mbështetës të Islamit Radikal tek shumë parti të majta sesa në kampet e ISIS në Siri e Irak. Pikërisht e majta post-komuniste evropiane dhe pse dhe jo dhe segmente të saja në SHBA, janë rreshtuar dukshëm në krahun e Iranit, Hamasit, Hesbollahut, e në rastin më të mirë heshtin për dhunën e grupeve radikale terroriste në Afrikë. Sa për të qenë korrektë me statistikat, shënohen rreth 100 mijë viktima të besimit Kristian në vende kryesisht të Afrikës Qendrore, ku kryeson Nigeria.
Por pyetja që lind natyrshëm shtrohet: çfarë e lidh të majtën në vendet perëndimore me radikalizmin islamik? Përgjigja është sa e vështirë edhe e thjeshtë për tu gjetur. E majta e sotme është pasuese e të majtës që humbi betejën me të djathtën në 1990, më rënien e Murit të Bërlinit. Për këtë arsye historike dialektika e vjetër ra. E për të rishpikur një të re dhe vetveten, sajuan një dialektikë të re në shoqeritë perëndimore dhe po ashtu në nivel global. “Luftën e re të klasave”, mes klasës shtypëse dhe asaj të shtypur.
E këtë herë nuk janë kapitalistët dhe klasa punëtore në konfliktin social si bazë ideologjike për t’i dhënë jetë vetes, por një konflikt i stisur me objekt mbrojtjen dhe promovimin e minorancave fetare, etnike e më dëshpërimisht ato të orientimit seksual të ndryshëm. E thënë shkurt, pasi hoqën dorë nga lufta për barazi ekonomiko-sociale nën udhëheqjen e utopisë marksiste, tashmë kanë shpikur një marrëzi të re. Atë të barazisë etnike, racore, fetare dhe identiteve seksuale. Sepse mesa duket duhet gjithnjë një konflikt klasor. Përndryshe mbeten pa punë!
Por nuk u mjaftuan me kaq. Përmes neo-marksizmit filluan në fillim të viteve 2000 të artikulonin të njëjtën tezë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Legjitimimin e rebelimit të ish kolonive ndaj fuqive imperialiste si Amerika ashtu dhe disa vendeve ish-kolonialiste evropiane. Kjo shpjegon dhe mbështetjen për levat e Iranit në Lindjen e Mesme, ndërkohë që shumë prej tyre janë shpallur organizata terroriste nga qeveritë perëndimore dhe më gjerë. Ndërkohë që dëmin më të madh e kanë bërë përmes globalizmit. Ose më mirë përpjekjes së pas viteve ’90 për zhvendosjen e investimeve të industrisë prodhuese dhe zinxhirit të furnizimit drejt vendeve orientale, sidomos në Kinë. Jo se kjo valë e përhapjes së kapitalit në një vend komunist sot e kësaj dite erdhi vetëm si pasojë e këtij ndryshimi, që synonte barazinë edhe mes kombeve.
Sepse e miksuar me parimin e tregut të lirë se “sa më shumë rritet mirëqënia, aq më shumë zvogëlohet pabarazia”, axhenda e të majtës tashmë avancoi më tej synimin e barazisë edhe mes kombeve.
Por ja që Kina ndërkohë që përfitoi nga këto investime, shfrytëzoi rastin që të fuqizohej dhe politikisht e ushtarakisht, duke kërkuar ndryshimin e rendit unilateral amerikan, apo e thënë më mirë, perëndimor. Dhe BRICS është shembulli më i qartë për një rend të ri botëror, ku Kina kërkon të marrë rolin e udhëheqësit në këtë marrëdhënie konkurruese.
E ndërkohë që Kina përfaqëson një autokraci të kapitalizmit shtetëror që subvencionon disa sektorë ekonomik të cilët konkurrojnë në mënyrë të pandershme industritë perëndimore, e majta në Evropë dhe një pjesë e demokratëve në SHBA, bëjnë sikur nuk kuptojnë që kjo po dëmton ekonomikisht vendet e tyre. Mesa duket kjo axhendë ideologjike e traditës marksiste, kapërcen interesat e vendeve të tyre me qëllimin e vetëm të kënaqjes së urisë dogmatike që mbartin dhe nxisin prej dy shekujsh pa zënë mënd nga dështimi i madh historik i 1990. Shprehja aq e njohur se “kur një komunist 20 vjeç, je idealist, ndërsa 30 vjeç je idiot’ është më aktuale se kurrë!
Fatmirësisht ka dhe një të majtë tjetër që është kritike ndaj këtij mainstream-i, që përfaqësohet nga ish-social-demokratët, që me Marksin u ndanë që në Internacionalen e Parë Komuniste. Ata kërkojnë të reformojnë sistemin kapitalist, ashtu siç bënë paraardhësit e tyre me “welfare state”, por jo ta përmbysin atë. Ashtu siç politikën e majtë të minorancave e shohin si absurditet. A do ta fitojnë ata dot betejën brenda të majtës me radikalët që po e drejtojnë atë prej vitesh, mbetet për t’u parë.
E vetmja zgjidhje deri më tani ka qenë rritja e së djathtës konservatore. Dhe rasti i Anglisë ku Farage mundi dy partitë tradicionale, është shembulli më i freskët dhe njëkohësisht më optimisti. Ndaj ta quash të majtën e sotme liberale apo globaliste mund të duket në pamje të parë korrekte. Ndërkohë synimet dhe metodat në themelin e tyre, janë thjeshtë komuniste. Ndaj duhen mundur që mos të kthehemi sërish në makthet e së kaluarës.
