Eksperti zgjedhor, Andon Kume, i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, ka zbërthyer me detaje debatet e nxehta rreth reformës së re zgjedhore, bashkëpunimin mes partive të mëdha dhe impaktin e drejtpërdrejtë që këto ndryshime pritet të kenë mbi forcat më të vogla politike në vend.

Gjatë analizës së tij, Kume lëshoi një alarm të fortë për fatin e partive të vogla parlamentare dhe jashtëparlamentare, duke theksuar se me konfigurimin aktual dhe pragun elektoral prej 4%, ato rrezikojnë seriozisht eliminimin e plotë nga skena politike.

“Ka nevojë për kalkulime. Partitë e vogla, këto që kanë sot, me pragun 4% rrezikojnë pothuajse të gjitha këto parti, pra zhduken. Rrezikojnë mos kenë asnjë vend në parlament, pra të mos përfaqësohen”, deklaroi prerë eksperti zgjedhor.

Sipas Kumes, skepticizmi i këtyre forcave politike ndaj nismave të marra nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike është plotësisht i justifikuar, pasi historia e tranzicionit shqiptar ka provuar se marrëveshjet e rëndësishme kushtetuese dhe kodet zgjedhore janë qepur gjithmonë sipas interesave ekskluzive të dy rretheve të mëdha të pushtetit.

“Këta kanë të drejtë të jenë skeptikë sepse historia këtë ka treguar: që reformat zgjedhore në Republikën e Shqipërisë janë bërë si produkt bipartizan i Partisë Demokratike dhe i Partisë Socialiste, dhe janë kryer kryesisht për interesin e tyre. Pra, një lloj skepticizmi kanë të drejtë ta kenë”, shtoi ai.

Duke u ndalur tek alternativat konkrete që ndodhen mbi tryezë, Andon Kume vuri në dukje propozimin e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, të udhëhequr nga Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani. Ky projekt, i mbështetur nga fonde të ambasadës holandeze dhe i depozituar në Kuvend me firmën e 50 mijë qytetarëve, synon një përmbysje të madhe të sistemit aktual përmes kalimit në një sistem Proporcional Kombëtar të pastër.

Eksperti shpjegoi se ky sistem do të garantonte një përkthim matematikisht të drejtë të votës së popullit në mandate deputetësh, duke i dhënë fund anomalive ku një parti merr shumicën absolute të vendeve në Kuvend, pa pasur shumicën e votave në popull.

“Proporcional i pastër çfarë do të thotë? Përkthen në mënyrë më të drejtë, më të mirë votat e qytetarëve shqiptarë në vend, në parlament. Dhe nuk do shikoni parlament ku Partia Socialiste merr 48% të votave të votuesve shqiptarë dhe merr mbi 50% të vendeve në parlament. Kjo nuk ka pse të ndodhi me sistemin proporcional kombëtar”, sqaroi Kume.

Megjithatë, Kume mbrojti idenë se edhe brenda një sistemi proporcional kombëtar, vendosja e një pragu elektoral mbetet e domosdoshme për të garantuar stabilitetin institucional të vendit dhe për të shmangur kaoset në qeverisje.

“Tani, sistemit proporcional kombëtar po t’i vendosësh prag zgjedhor—dhe të themi të drejtën prag zgjedhor kanë shumica e sistemeve proporcionale. Pse? Sepse po mos kishte prag zgjedhor do kishte një parlament kaq shumë të fragmentarizuar ku dhe një individ i vetëm me një pushtet të madh në një zonë të caktuar do bëhej deputet. Si do mblidhte? Do arrinte të mblidhte 20.000 vota në një vend të caktuar dhe do bëhej deputet. Pra do kishim dhe parti të vogla fare, fare, fare që do të ishin në parlament, dhe fragmentarizimi kaq i madh i parlamentit nuk i shërben stabilitetit qeverisës”, përfundoi Andon Kume, duke shtuar se ky opsion po diskutohet aktualisht në një tavolinë politike ku janë mbledhur disa prej partive kryesore opozitare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb