Gazetari Klevin Muka, i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, ka zbardhur prapaskenat e skandaleve më të fundit që lidhen me prokurimet publike në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, Muka u ndal gjerësisht te dosja e AKSHI-t, duke e cilësuar situatën si “alarmante” dhe duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si po vepron drejtësia me masat e sigurisë ndaj zyrtarëve të lartë.

Muka kritikoi fokusimin e organeve të drejtësisë te statistikat dyvjeçare, duke theksuar se hetimet duhet të jenë të thelluara dhe jo sipërfaqësore sa për të regjistruar shifra.

“Statistikat më duken absurde fare. Kur nuk funksionon… nuk funksionon drejtësia me statistikë. Domethënë, edhe hetimet… edhe hetimet duhet të zgjasin në kohë, të përfundojnë dhe të kryhen në mënyrë të atillë që mos të kemi zëvendësime të masave të sigurisë”, u shpreh gazetari.

Duke u ndalur te raste konkrete, gazetari solli në vëmendje njërën prej aferave më të diskutuara të muajve të fundit, atë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ku sipas tij janë transferuar shuma marramendëse parash publike në një kohë rekord.

“Sot kemi… një ndër aferat më të mëdha, më të diskutuara së fundmi ka qenë ajo e AKSHI-t, ku ‘EA Solution’ e Ergys Agasit ka përfituar mbi 30 milionë euro për 9 muaj – 10 muaj domethënë. Nuk e di çfarë duhet më për të treguar se si funksionon… si funksionojnë realisht gjërat në këtë vend dhe në aspektin e tenderimit”, deklaroi Muka.

Ai hodhi hije dyshimi edhe mbi vendimet e fundit të gjykatave për lirimin ose lehtësimin e masave ndaj zyrtarëve të përfshirë, duke përmendur ish-drejtuesen e institucionit: “Ndërkohë nga ana tjetër, kemi drejtoreshën e AKSHI-t, të cilës iu pezullua masa e sigurisë, mos gaboj, Mirlinda Karçanaj… vendimi për shkarkimin, pezullimi nga detyra e Mirlinda Karçanajt që u mor fillimisht nga SPAK në tetor të vitit të kaluar, u pezullua dhe masa e sigurisë. Pra, më duken si nxitim për të arritur në statistika duke dalë nga thelbi”.

Muka zbuloi gjithashtu detaje nga ajo çfarë ka dalë në dritë prej përgjimeve të dosjes hetimore.

“Në këtë aspekt, edhe pjesa tjetër që ne kemi parë edhe në përgjime, aq sa ka dalë, që: ‘Nga 2 milionë euro, bëje 4. Tenderi është 2 milionë euro, e bëjmë 4’… dhe më tregon… kjo është një situatë alarmante”, tha ai.

Sipas Mukës, kjo skemë nuk është e izoluar vetëm në një institucion, por është kthyer në një model që ndiqet rregullisht edhe nëpër bashki të ndryshme të vendit, ku garat janë thjesht fiktive.

“Pjesa tjetër, edhe në bashki dhe kudo tjetër, shihet që çdo tender, ofertat fituese janë në kufijtë e fondit limit, pavarësisht se ka oferta të tjera që janë me vlerë shumë më të ulët dhe nuk konsiderohen fare. Kështu që, edhe vetë dosja e AKSHI-t besoj se është flagrante dhe treguesi më i mirë se si merreshin qytetarët peng për t’u tërhequr nga… nga aplikimi për… për tendera e të tjerë, e të tjerë”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb