Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën, ka komentuar ndryshimet e propozuara në ligjin për Policinë e Shtetit, duke u ndalur te emërimet dhe funksionimi i drejtuesve të policisë.
Sipas Lalës, kur Ilir Proda drejtonte Policinë e Shtetit, sistemi i konkurseve për drejtuesit ishte formal dhe jo real. Ajo shtoi se ndryshimet ligjore ishin të domosdoshme për të rikthyer kontrollin mbi strukturat e policisë, pas situatës së trashëguar nga drejtuesit e mëparshëm. Lala theksoi se një nga ndryshimet më të debatueshme është heqja e konkursit për drejtorët e policisë në qarqe, propozim i bërë nga një deputet i Partisë Socialiste.
Sipas Lalës, kjo do t’i japë Drejtorit të Përgjithshëm më shumë hapësirë për të bërë lëvizje në drejtimin e policies dhe personave që nuk e kryejnë siç duhet punën e tyre.
“Kur zoti Hitaj erdhi si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, ju kam thënë që e vetmja mundësi që ai të ketë një polici të cilën normalisht mund ta vërë në shërbim të qytetarit, është që të ketë njerëzit më të aftë, të cilët kanë ardhur si drejtorë të policisë apo në krye të kupolës së policisë përmes meritokracisë dhe gradave të merituara. Kështu që, në këtë aspekt, e vetmja mundësi që ai të kishte kontroll mbi policinë në gjendjen që kishte lënë paraardhësi i tij, zoti Proda, ishte pikërisht të kishte ndryshime ligjore. Dhe në atë kohë kam sugjeruar këtë gjë, pa e ditur në fakt që do të kishte edhe një propozim për ndryshime ligjore.
Proda u zgjodh Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit përmes një konkursi, më pas hyri konkursi për të gjitha funksionet e tjera, siç janë drejtorët e policisë, shefat e departamenteve apo të tjera me radhë. Në rastin konkret, në propozimin e fundit që ka bërë një deputet i PS heqkonkursin për drejtorët e policisë së qarqeve. Teorikisht, konkursi është gjë e mirë sepse mendohet që është një garë e hapur ku individë hyjnë në një garë, kanë një platformë, prioritete dhe në fund fare të kësaj gare ka edhe një produkt.
Në rastin konkret, në Policinë e Shtetit nuk kishte konkurse ishte e gjitha fiktive. Kur një drejtor zgjidhej përmes konkursit, automatikisht nëse nuk përmbushte detyrën, ishte shumë e vështirë për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për ta larguar nga pozicioni që kishte dhe për të sjellë një frymë të re, sepse mbetej peng i burokracive.
Hitaj, në momentin që do të hyjë ky ligj në fuqi do të ketë mundësinë të bëjë lëvizje në drejtoritë e qarqeve”, u shpreh ajo.
