Nëse do më pyesnin se kush është për mua artisti më i madh, përgjigjja ime do të kishte qenë: Michael Jackson! 

Këtë e rithem pasi ndoqa filmin biografik kushtuar atij, që po shfaqet rishtazi në Tiranë dhe në kinematë e gjithë botës, një realizim brilant dhe shumë emocionues. Nuk do të kishte qenë i tillë mendoj, nëse rolin e tij, në pamje të parë të “pamundur”, nuk do ta luante shkëlqyer një artist që ka genet e tij, pikërisht nipi Jaafar Jackson, djali i vëllait të Michael, Jermaine Jackson, i cili në këtë aktrim sillte energjinë e tij të rrallë me një pamje dhe mimika shumë të ngjashme.

Filmi “Michael” kushtuar “Mbretit të Pop-it” është një histori prekëse njerëzore që hedh dritë mbi të shkuarën e tij të hershme, me fëmijërinë e vështirë për shkak të babait dhunues, me bandën “Jackson 5”, ku performonte me vëllezërit e tij e kur që në moshën 5 vjeçare u bë i njohur nga 100 milionë njerëz. Deri te albumet solo më të shitura në historinë muzikore me rekorde absolute dhe koncertet me audienca gjigande në mbarë botën.

Nuk do përshkruaj filmin, të cilin do ua rekomandoja të gjithëve për ta parë. Por dua të evidentoj një anë tjetër të medaljes. Atë të botës së egër e të padrejtë që rrethon talentet e çdo fushe e në çdo epokë.

Ndoshta artistë të këtyre përmasave lindin vetëm një herë. Ata duket sikur kanë mundësuar një pakt sekret me Zotin apo Universin, dhe ne njerëzorët e tjerë sado të përpiqemi me forma çnjerëzore, kurrë nuk do mundemi të zhbëjmë gjurmën e dikujt që ka lindur për ta bërë botën më të bukur.

E kur të tilla talente lindin, ne të tjerët jemi thjesht fatlumë që kemi jetuar si bashkëkohës të tyre apo thjesht si njohës të ndikimit të tyre transfodmues me fuqinë e talentit.
Sistemi i vlerave apo mungesa e tyre në shoqëritë tona, që nga rrënjët familjare e deri te njerëzit që na rrethojnë, është i pranishëm përgjatë gjithë ciklit jetësor ku notojnë ndjenjat, ëndrrat, edukimi, fati, karriera dhe sfidat.

Ndoshta arsyeja pse artistët e mëdhenj kanë bujarinë e natyrshme të ndajnë dhuntinë e tyre me njerëzit e botës nëpërmjet gjuhës universale të artit, për të ndikuar njerëzimin falë fuqisë së talentit unik. Ata e pasurojnë atë me ngjyra të pazëvendësueshme dhe me kuptime e kujtime të përjetshme. Njëherazi, i bëjnë kontrast të keqes e të ligës, duke na dhënë shansin të bëjmë dallimin e qartë mes dy botëve. 

Ikona e Michael Jackson frymëzon ende sot me shkëlqimin e dritës së talentit të tij të papërsëritshëm, dhe sa herë arti i tij i mrekullueshëm të dëgjohet e shijohet, aq herë do të na kujtojë se jeta është shumë shterpë pa artin dhe artistët e vërtetë.

Siç e ka thënë edhe ai vetë pak kohë përpara se të largohej nga jeta për të jetuar përgjithmonë, “Bota nuk do të kishte kaq shumë padrejtësi, krime, luftra e terrorizëm, nëse çdo fëmije nuk do i vidhej fëmijëria”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb