Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Posta e Rreme 2”, duke goditur një tjetër skemë mashtrimi kompjuterik që realizohej përmes faqeve të falsifikuara që imitonin faqen zyrtare të Posta Shqiptare.

Operacioni u zhvillua nga strukturat për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, pas hetimeve intensive mbi aktivitetin kriminal online.

Sipas policisë, shtetas të huaj kishin krijuar faqe të rreme dhe dërgonin SMS me linqe mashtruese, me qëllim marrjen e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve shqiptarë. Përmes kësaj skeme synohej përfitimi i paligjshëm i shumave monetare nga llogaritë bankare të viktimave.

Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi francez Z.K., 22 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi gjerman T.M., 53 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë aktivitet kriminal. Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan telefona celularë, karta SIM, karta bankare, dokumente të ndryshme dhe sende të tjera që dyshohet se përdoreshin në mashtrimet kibernetike.

NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni policor i koduar “Posta e Rreme 2”, goditet një tjetër skemë mashtrimi kompjuterik përmes faqeve të falsifikuara të Postës Shqiptare.

Strukturat për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të punës intensive për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit kibernetik, finalizoi operacionin e koduar “Posta e Rreme 2”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetas të huaj kishin krijuar faqe të rreme që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare dhe, nëpërmjet dërgimit të SMS-ve me linqe mashtruese, synonin të merrnin të dhëna personale dhe bankare të qytetarëve shqiptarë, me qëllim përfitimin e paligjshëm të vlerave monetare nga llogaritë e tyre bankare.

Në kuadër të operacionit u ndalua shtetasi francez Z. K., 22 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi gjerman T. M., 53 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.

Gjatë operacionit u sekuestruan celularë, karta SIM, karta bankare, dokumente të ndryshme dhe sende të tjera që dyshohet se lidhen me këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që:
-Të mos klikojnë në linqe të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, email-eve apo rrjeteve sociale;
-Të verifikojnë gjithmonë adresën zyrtare të institucioneve përpara se të plotësojnë të dhënat personale apo bankare;
-Të mos japin asnjëherë numra kartash bankare, kode sigurie apo fjalëkalime në faqe të paverifikuara;
-Të raportojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit, çdo rast të dyshuar mashtrimi online.

Në rastet e mëparshme, disa shtetas kanë rënë viktimë e kësaj skeme mashtrimi, duke pësuar humbje monetare për shkak të vendosjes së të dhënave të tyre bankare në faqet e falsifikuara.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në luftën kundër krimit kibernetik dhe në mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet online.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: