Aktori dhe regjisori Laert Vasili ka rrëfyer një episod të vitit 2012 që lidhet me ministrin aktual grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, në emisionin Studio24 në News24.
Vasili deklaroi se Dendias, në kohën kur mbante postin e ministrit të Brendshëm të Greqisë, kishte ndërhyrë për mbrojtjen e teatrit ku shfaqej vepra “Corpus Christi”, pas kërcënimeve nga grupimet ekstremiste të djathta.
“Arti është pararendës. Ja ku e keni personin në fjalë. Ishte Nikos Dendias ministër i Brendshëm kur teatri në vitin 2012. Nikos Dendias ka sjellë 350 forca speciale që Agimi i Artë të mos më digjte teatrin mua. Pse e bëri? Se ishte shqiptar”, u shpreh Vasili.
Aktori iu referua ngjarjeve të tetorit 2012 në Athinë, kur ai u përball me kërcënime të forta dhe reagime të dhunshme nga anëtarë dhe mbështetës të Agimit të Artë, pas vendosjes në skenë të shfaqjes “Corpus Christi”, ku Vasili ishte regjisor.
Në atë periudhë, grupime të ekstremit të djathtë protestuan jashtë teatrit dhe pati tensione të forta për shkak të përmbajtjes së shfaqjes, ndërsa autoritetet greke angazhuan forca të shumta policore për të garantuar sigurinë dhe vijimin e aktivitetit artistik.
