Kosova ka zhvilluar sot stërvitjen e dytë në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet miqësore kundër Çekisë dhe Andorrës.
Seanca stërvitore u zhvillua me ritëm të lartë dhe me përkushtim të madh nga futbollistët, derisa përzgjedhësi Franco Foda, së bashku me stafin e tij, punoi kryesisht në aspektin taktik dhe në organizimin e lojës.
Gjatë stërvitjes, për shkak të një lëndimi në nyje, Andi Hoti u detyrua ta ndërpresë seancën para kohe. Futbollisti do t’u nënshtrohet ekzaminimeve të nevojshme nga stafi mjekësor i Kombëtares, pas të cilave do të përcaktohet shkalla e lëndimit.
Atmosfera në kampin dardan mbetet shumë pozitive, veçanërisht edhe për futbollistët që janë ftuar për herë të parë në Kombëtare. Sulmuesi Rilind Nivokazi është shprehur i lumtur dhe krenar që i është bashkuar Kosovës.
“Krenari shumë e madhe për mua dhe për familjen time. Ekipi më ka pritur shumë mirë, ashtu si edhe stafi në krye me trajnerin Franco Foda. Jam shumë i kënaqur dhe uroj të ftohem edhe herë të tjera”, ka thënë Nivokazi.
Sulmuesi 26-vjeçar i Sionit në Zvicër theksoi se ftesa nga Kombëtarja për të është motivim i madh, ndërsa shtoi se miqësoret e radhës janë mundësi e mirë për t’u përgatitur për sfidat e ardhshme.
“Trajneri na ka thënë se duhet ta japim maksimumin, sepse këto miqësore na duhen për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e ardhshme. Kur luan për Kombëtaren, do të thotë se gjithmonë duhet të japësh maksimumin për këtë fanellë”, ka theksuar Nivokazi.
Edhe Valmir Matoshi, i cili po ashtu është ftuar për herë të parë te Kosova, është shprehur i lumtur për pritjen në kampin dardan. Mesfushori, i cili ka qenë pjesë e grupmoshave U20 dhe U21 të Zvicrës, së fundmi fitoi titullin e kampionit në Zvicër me skuadrën e Thunit.
“Është ndjenjë shumë e mirë, të cilën nuk e kisha përjetuar deri tash. Të gjithë lojtarët janë shumë të mirë, po ashtu edhe stafi i trajnerëve. Bisedojmë lirshëm me njëri-tjetrin, sikur të isha për kohë të gjatë këtu”, është shprehur Matoshi.
Ai theksoi se e ka ndjekur rregullisht Kombëtaren e Kosovës dhe se sa herë t’i jepet mundësia të paraqitet në fushë, do të japë maksimumin për fanellën dardane.
“Po më duket sikur kam luajtur për kohë të gjatë për Kosovën. Më vjen mirë për pritjen nga të gjithë. Thuajse të gjitha ndeshjet e Kosovës i kam shikuar më herët. Do ta jap maksimumin sa herë që më jepet rasti”, ka shtuar Matoshi.
Dardanët miqësoren e parë do ta zhvillojnë të dielën në Pragë kundër Çekisë, ndërsa më 7 qershor do të përballen me Andorrën në Prishtinë.
