Eksperti i sigurisë Fatjon Softa ka komentuar aksidentin e rëndë të ndodhur pak ditë më parë në aksin Tiranë-Elbasan, ku një betonierë doli nga rruga pasi përshkoi barrierat mbrojtëse dhe ra nga rrethrrotullimi poshtë.

I ftuar në emisionin “News24 Fundjavë” me Megi Latifin, Softa u shpreh se përveç sjelljes së drejtuesve të mjeteve, duhet të verifikohen edhe elementët e sigurisë rrugore, përfshirë cilësinë dhe certifikimin e barrierave mbrojtëse.

Sipas tij, parandalimi i aksidenteve kërkon krijimin e një sistemi të plotë kontrolli, që përfshin edukimin e shoferëve, përdorimin e teknologjisë dhe zbatimin e standardeve të sigurisë. Eksperti ngriti pikëpyetje edhe mbi barrierat mbrojtëse në vendin e aksidentit, duke kërkuar verifikim të materialeve dhe mënyrës së ndërtimit të tyre.

“Duhet të shikohet certifikimi i barrierës, çeliku nga i cili është përbërë, mënyra e konstruksionit dhe përforcimet. Këto barriera duhet të jenë në gjendje të mbajnë një mjet me tonazh të lartë, si një betonierë që mund të jetë rreth 30 ton”, u shpreh ai.

Softa solli në vëmendje edhe një rast të mëparshëm, duke deklaruar se barrierat nuk duhet të dështojnë përballë mjeteve të rënda.

“Barrirat nuk mbajtën dot as një ‘Audi’, i cili doli në anën tjetër. Duhet të kishim nxjerrë një mësim që në rastin e parë”, deklaroi eksperti.

Ai paralajmëroi se pasojat mund të kishin qenë shumë më të rënda nëse një mjet i tillë do të kishte përfunduar mbi një autobus.

“Mendoni sikur ajo betonierë të kishte rënë mbi një autobus me nxënës shkolle. Do të kishim pasur një tragjedi kombëtare. Çfarë duhet të presim që të ndodhin ngjarje të tilla?”, tha Softa.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb