Një familje franceze përjetoi momente tmerri në brigjet e Tajlandës, pasi motori i ujit me të cilin po udhëtonte u përmbys dhe i la të tre anëtarët të bllokuar në det për më shumë se 16 orë.
Ngjarja ndodhi të enjten në Koh Samui, një prej destinacioneve turistike më të njohura të Tajlandës. Një baba 50-vjeçar kishte marrë me qira një motor uji për 45 minuta, për të bërë një xhiro me dy djemtë e tij. Kur familja nuk u kthye në kohën e përcaktuar, autoritetet nisën menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit. Ekipet përdorën motoskafe dhe mjete të tjera lundruese për të kontrolluar ujërat përreth ishullit.
Pas kërkimeve gjatë natës, familja u gjet rreth 16 orë më vonë, duke qëndruar e kapur pas motorit të ujit të përmbysur.
Pamjet e shpëtimit tregojnë një prej djemve të ulur në pjesën e përparme të mjetit, ndërsa pjesa tjetër ndodhej nën ujë. Një zyrtar lokal deklaroi se familjarët ishin të rraskapitur, pasi kishin luftuar me dallgët gjatë gjithë natës dhe kishin gëlltitur sasi të mëdha uji deti. Babai dhe dy djemtë u transportuan në spital për kontrolle dhe trajtim mjekësor, ndërsa disa orë më vonë u lejuan të largoheshin.
