Pamje dramatike nga Himalajet tregojnë pasojat e shembjes së një akullnajeje, një fenomen që dyshohet se lidhet me përmbytjet masive që kanë goditur zonat e Nepalit dhe Tibetit.
Në videot e publikuara shihet qartë peizazhi pas shembjes, me një shpat të tërë të zhveshur nga akulli dhe i mbuluar me masa dheu e mbetjesh. I njëjti territor, sipas imazheve të mëparshme satelitore, ishte i mbuluar nga akulli.
Katastrofa ka shkaktuar një bilanc të rëndë njerëzor. Sipas të dhënave të raportuara nga autoritetet dhe organizatat ndërkombëtare, qindra persona kanë humbur jetën, ndërsa 1,924 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Mes personave që ende nuk janë gjetur raportohet se ka edhe turistë dhe pelegrinë të huaj.
Footage appears to show the moments after a glacier collapsed in the Himalayas, triggering floods in Nepal and Tibet. A bare cliff face is visible at a location that was covered by ice in previous satellite images. pic.twitter.com/YNNXGXHkIf
— Sky News (@SkyNews) August 28, 2026
Në zonat e prekura vijojnë kërkimet për të mbijetuarit. Mijëra forca sigurie janë angazhuar në operacion, ndërsa përdoren edhe dronë për të kontrolluar territoret ku ndërhyrja tokësore është tepër e rrezikshme.
Në një nga zonat më të goditura, fshatra të tëra janë përmbytur dhe shkatërruar brenda pak minutash. Pas tërheqjes së ujërave, terreni është mbuluar nga një shtresë e trashë balte dhe mbetjesh, ndërsa shumë banorë kanë mbetur pa shtëpi.
Qindra të mbijetuar janë strehuar në qendra të përkohshme, të ngritura nga autoritetet dhe ushtria. Në këto qendra po dërgohen gjithashtu furnizime, pajisje mjekësore dhe ndihma humanitare.
Situata mbetet veçanërisht e vështirë për fëmijët. UNICEF ka bërë të ditur se rreth 17 mijë fëmijë kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare, ndërsa disa shkolla janë shkatërruar ose dëmtuar nga katastrofa.
Operacionet e shpëtimit vijojnë mes kushteve të vështira, ndërsa ekipet përballen me terren të rrezikshëm dhe rrezikun e përmbytjeve të tjera. Të plagosurit, mes tyre banorë vendas, turistë dhe punëtorë të huaj, po transportohen me helikopterë drejt spitaleve.
Ndërkohë, qendrat e strehimit janë kthyer edhe në vende zie. Trupat e viktimave të nxjerra nga zonat e prekura po ruhen deri në përfundimin e procesit të identifikimit dhe njoftimin e familjarëve.
