Kampionia në fuqi e Kosovës, Drita, është ndalur në barazim pa gola, 0:0, nga Drenica në ndeshjen e vlefshme për xhiron e katërt të Albi Mall Superligës së Kosovës.

Ndeshja e zhvilluar të shtunën mbrëma në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, nën dritën e reflektorëve, solli raste për të dyja skuadrat, por mungoi konkretizimi në fazën përfundimtare, duke bërë që rrjetat të mbeteshin të paprekura deri në vërshëllimën e fundit.

Për Dritën, ky ishte barazimi i parë në këtë edicion, pas dy fitoreve në tri ndeshjet e zhvilluara deri më tani. Kampionia në fuqi nuk e ka zhvilluar ndeshjen e xhiros së dytë me Prishtinën për shkak të angazhimeve në garat evropiane.

Ndërkohë, Drenica regjistroi barazimin e tretë në këtë edicion, krahas një humbjeje.

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar më herët të shtunën, Dukagjini ka shënuar fitore me rezultat 2:1 ndaj Llapit, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Dienit Isufi e kaloi Dukagjinin në epërsi në minutën e 16-të, ndërsa Llapi barazoi shifrat në minutën e 32-të përmes Arbnor Ramadanit, i cili realizoi nga pika e bardhë.

Skuadra nga Klina e riktheu epërsinë në minutën e 54-t, kur Egzon Sinani shënoi për 2:1, rezultat që doli të ishte edhe përfundimtar.

Për Dukagjinin kjo ishte fitorja e dytë e sezonit, krahas dy barazimeve, duke e çuar në tetë pikë pas katër xhirove.

Në anën tjetër, Llapi vazhdon të jetë pa pikë, pasi ka pësuar katër humbje në katër ndeshjet e para të kampionatit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb