Duket se ka një keqkuptim masiv për takimet e së premtes në orën 17:00. Njerëzit kanë kujtuar se do të shkojnë atje për të qarë hallet e tyre. Jo mor zotni. Do të shkoni për të dëgjuar hallet e qeverisë.
Po të përdorim kandarin pas 13 vjetësh në pushtet, qeveria ka më shumë halle se i gjithë populli bashkë. Por shqiptarët, nga natyra janë egoistë. Mendojnë vetëm për hallin e vet.
Qeveria ka hall se rropatet ditë e natë për këtë popull dhe prapëse prapë ka të pakënaqur.
Qeveria ka hall se disa prokurorë dhe gjyqtarë ende nuk e kanë kuptuar si funksionon ndarja e punëve: tenderët, PPP-të dhe investimet strategjike janë për miqtë dhe familjarët, ndërsa ligji është për kundërshtarët.
Ka hall se njerëzit ankohen jetesa është bërë e papërballueshme, në vend që t’i shohin ato si një politikë kombëtare për mobilitetin. Kur jeta bëhet shumë e shtrenjtë këtu, qeveria po të jep mundësinë të provosh jetën diku tjetër, të provosh Europën nëse nuk ke durim deri në 2030. Po ju jepet një mundësi që, për çudi, jo të gjithë po e shfrytëzojnë, madje madje edhe po ankohen. As dembelët nuk ankohen kaq shumë.
Ka hall qeveria se dosjet e SPAK-ut dhe përgjimet interpretohen si korrupsion. Ndërkohë, po t’i lexosh me një sy tjetër, aty sheh zyrtarë dhe ministra që mendojnë 24 orë në ditë si të zhvillojnë iniciativën private. Atdheu nis te shtëpia jote- thoshte dikur një poet i njohur. Populli me të drejtë thotë: “mos prit hajër nga ai që nuk bën prokopi për veten e vet”.
Ka hall se qytetarët duan ujë, rrugë, spitale, shkolla dhe paga, kur ndërkohë sapo u është dhënë BESA, Prania Besnike dhe Pasqyrë Albania. Kjo është mungesë mirënjohjeje, për të mos thënë diçka më të rëndë, – mungesë edukate.
Ka hall se njerëzit vazhdojnë të krahasojnë pagën me çmimet. Qeveria sot e krahason me pagën e vitit 2013, qytetarët me çmimet e 2026. Janë dy metodologji krejt të ndryshme, ndaj edhe dalin dy Shqipëri të ndryshme.
Ka hall se sa herë inaugurohet një segment rruge, dikush pyet kur mbaron pjesa tjetër. Sa herë hapet një kantier, dikush guxon dhe pyet kur përfundon dhe si kurioz të sëmurë duan të dinë edhe sa kushton dhe shkojnë deri aty sa bëjnë krahasime me koston në BE. Sa herë bëhet një premtim, del ndonjë i manjak i bezdishëm që kujton premtimin e mëparshëm.
Qeveria ka hall se pas katër mandatesh qytetarët ende presin që përgjegjësinë për problemet ta mbajë qeveria. Kur dihet se për problemet e sotme përgjegjës janë qeveritë e djeshme, duke nisur nga ajo e Ahmet Zogut, opozita e sotme, mediat, gjykatat, prokurorët, BE, Rusia, ngrohja globale dhe ta themi troç edhe vetë qytetarët. Në një shoqëri të lirë, individi duhet të marrë vetë përgjegjësitë.
Qeveria ka 13 vjet që dëgjon popullin, por populli ende nuk ka mësuar të dëgjojë qeverinë.
Prandaj të premten, në orën 17:00, mos shkoni me hallet tuaja. Uluni, dëgjoni dhe tregoni pak empati se nuk ka hall më të madhe për një qeveri vizionar se një popull që nuk kupton.
