Në ngjarje e paprecedentë ka ndodhur sot kur ish-drejtoresha e SHISH Vlora Hyseni e akuzuar për “Zbulim i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Përkrahje e autorit të krimit”, ka shantazhuar publikisht gazetarët.

Teksa hynte në GJKKO për t’u marrë në pyetje, shefja e shkarkuar e SHISH, Vlora Hyseni shantazhoi në mënyrë të paprecedentë gazetaren e News24 Klodiana Lala. Sapo Lala iu afrua ta pyesë Vlora Hysenin mbi akuzat e rënda, kjo e fundit iu përgjigj me një pyetje që aludonte për takime me “agjentë serbë”.

 

Një sjellje e tillë është e papranueshme dhe përbën një tentativë të rëndë për të intimiduar një gazetare në ushtrimin e detyrës së saj. Në vend që t’u përgjigjej pyetjeve mbi akuzat që rëndojnë ndaj saj, Vlora Hyseni zgjodhi të drejtonte një akuzë të rëndë personale ndaj gazetares, pa paraqitur asnjë provë publike për pretendimin e bërë.

Pyetjet e gazetarëve nuk janë krim dhe raportimi mbi një çështje në hetim nuk mund të përgjigjet me insinuata apo akuza të rënda të hedhura në publik.

Përballë institucioneve të drejtësisë, çdo pretendim duhet të provohet me fakte dhe prova. Përballë medias, përgjegjësia është po e njëjtë. Askush, pavarësisht detyrës apo funksionit që ka mbajtur, nuk duhet të përdorë deklarata të tilla për të frikësuar apo diskredituar një gazetar.

Liria e medias dhe e drejta për të bërë pyetje janë themelore për një shoqëri demokratike. Prandaj, çdo përpjekje për t’i kthyer gazetarët në objekt presioni duhet dënuar publikisht.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: