Rrugët e Hamburgut janë kthyer për disa ditë në terrenin e një operacioni të gjerë ushtarak, ku janë përfshirë trupa të Bundesuehr-it, policia dhe struktura të ndryshme civile.

Helikopterë, automjete të blinduara dhe kolona ushtarake kanë lëvizur edhe në zona të banuara të qytetit, si pjesë e një simulimi që synon të testojë reagimin e Gjermanisë në rast të një krize të rëndë sigurie.

Stërvitja, e koduar “Red Storm Charlie”, u zhvillua nga 24 deri më 26 shtator dhe përfshiu rreth 1,700 pjesëmarrës, prej të cilëve rreth 500 ishin pjesëtarë të forcave të armatosura gjermane. Skenari i ushtrimit ishte ndërtuar mbi një situatë përshkallëzimi të kërcënimeve në krahun lindor të NATO-s.

Një nga fazat kryesore u zhvillua në portin e Hamburgut, ku u simulua mbërritja dhe zbarkimi i forcave të NATO-s. Në këtë rast, trupat aleate u përfaqësuan nga ushtarë gjermanë, të cilët pas zbarkimit vijuan lëvizjen nëpër qytet drejt lindjes.

Skenari nuk përfshinte vetëm transportin e forcave dhe pajisjeve ushtarake. Gjatë ushtrimit u simuluan edhe tentativa sabotimi dhe protesta që pengonin lëvizjen e trupave, me synimin për të testuar mënyrën sesi autoritetet do të reagonin ndaj kërcënimeve të ndryshme në të njëjtën kohë.

Sipas “Deutsche Welle”, bëhet fjalë për stërvitjen më të madhe të këtij lloji të zhvilluar deri tani në Gjermani. Ajo lidhet me “Operationsplan Deutschland”, dokumentin strategjik që përcakton mënyrën sesi vendi do të organizohej në rast të një situate të rëndë ushtarake dhe çfarë roli do të kishte në mbështetjen e NATO-s.


Në rast të një konflikti të madh në Evropë, Gjermania do të kishte një rëndësi të veçantë për lëvizjen e trupave dhe furnizimeve drejt krahut lindor të aleancës. Portet, rrugët dhe linjat hekurudhore gjermane do të mund të përdoreshin për transportin e forcave dhe pajisjeve të rënda drejt zonave ku do të nevojitej përforcim.

Përmasat e këtij skenari janë të konsiderueshme. Sipas të dhënave të përmendura nga “Deutsche Welle”, gjatë një periudhe gjashtëmujore mund të kalonin nëpër Gjermani rreth 800 mijë trupa dhe 200 mijë automjete. Në të njëjtën kohë, infrastruktura e vendit do të duhej të përballonte edhe lëvizjen në drejtim të kundërt të personave të plagosur, civilëve të zhvendosur dhe të evakuuarve.

Një tjetër element që po merr rëndësi në planifikimin gjerman është mundësia e sulmeve hibride. Sabotazhet, ndërhyrjet kibernetike dhe dëmtimi i infrastrukturës kritike konsiderohen ndër rreziqet që mund të shoqërojnë një krizë ushtarake.

Për këtë arsye, përgjegjësia nuk do të binte vetëm mbi Bundesuehr-in. Në një situatë emergjente do të kërkohej koordinim mes ushtrisë, policisë, autoriteteve vendore, institucioneve civile dhe organizatave humanitare.

Stërvitjet kanë nxjerrë në pah edhe problemet infrastrukturore me të cilat përballet Gjermania. Një pjesë e urave, rrugëve dhe korridoreve të transportit janë të vjetruara ose nuk janë ndërtuar për të përballuar lëvizjen e një numri të madh automjetesh të rënda ushtarake.

Plani gjerman është hartuar pas nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe është përshtatur përmes ushtrimeve të ndryshme. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për kërcënimet që mund të prekin vendin, duke përfshirë sulmet kibernetike dhe aktet e sabotimit.

Megjithatë, autoritetet gjermane i konsiderojnë këto përgatitje si masa parandaluese. Synimi është që në rast të një krize, Gjermania të jetë në gjendje të aktivizojë shpejt mekanizmat e nevojshëm dhe të sigurojë transportin e forcave aleate drejt krahut lindor të NATO-s.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: