Një prej veprave më të pazakonta të artit dhe botimeve të shekullit XX është zhdukur nga Qendra e Artit Bashkëkohor në Issoire, në rajonin francez të Auvergne. Hajdutët arritën të merrnin “L’Apocalypse”, një vepër monumentale me peshë rreth 210 kilogramë, e cila ndërthur artin, letërsinë dhe mjeshtërinë e librit.

Vjedhja ka tërhequr vëmendje jo vetëm për vlerën e veprës, që llogaritet në disa milionë euro, por edhe për përmasat e saj. Vetëm kopertina prej bronzi, e krijuar nga Salvador Dalí, peshon rreth 150 kilogramë. Vepra përmban gjithashtu ar dhe gurë të çmuar, duke e bërë transportimin e saj një operacion që vështirë se mund të kryhej pa përgatitje.

“L’Apocalypse” është përshkruar dikur si “libri më i çmuar në botë”. Historia e tij nisi në vitin 1959, kur botuesi francez i librave të artit Joseph Forêt ndërmori një projekt ambicioz të frymëzuar nga “Apokalipsi” i Shën Gjonit.

Forêt synonte të krijonte shumë më tepër se një libër. Ai mblodhi artistë, shkrimtarë dhe mendimtarë të njohur të kohës për të ndërtuar një vepër ku teksti, piktura, skulptura dhe materialet e çmuara të bashkoheshin në një objekt të vetëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb