Debati për draftin e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale rrezikon të mbetet te pyetja më e gabuar që mund të bëhej: është ky draft pro apo kundër SPAK-ut?
Kodi i Procedurës Penale nuk është ligji i një prokurorie, i një gjykate apo i një momenti politik. Ai përcakton se deri ku mund të shkojë shteti kur heton një njeri: kur i hyn në banesë, i hap telefonin, i sekuestron pasurinë apo i heq lirinë. Prandaj një reformë procedurale nuk vlerësohet me pyetjen nëse ia lehtëson apo ia vështirëson punën një institucioni, por nëse vendos ekuilibrin e duhur midis efektivitetit të hetimit dhe kontrollit mbi pushtetin hetimor.

Ndryshimet duheshin
Problemet që drafti përpiqet të zgjidhë nuk janë të reja. Mjafton të shohim masat e sigurimit. Për vite me radhë kemi parë vendime ku rëndësia e akuzës, masa e dënimit ose formulat e përgjithshme për rrezikun e largimit zinin vendin e analizës konkrete: kush është ky person dhe pse arresti është vërtet i domosdoshëm. Në çështjen Hysa kundër Shqipërisë, GJEDNJ konstatoi pikërisht mungesën e arsyeve relevante dhe të mjaftueshme për paraburgimin. Më pas, me vendimin nr. 00-2026-736 (80), datë 4 maj 2026, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë përcaktuan se gjykata duhet të shqyrtojë realisht masat më pak kufizuese dhe të arsyetojë pse ato nuk mjaftojnë. Vetëm pak muaj më vonë, drafti kërkon që rreziku të jetë “konkret dhe aktual”, që masat të mbështeten në fakte konkrete dhe që arresti në burg të vendoset vetëm kur masat e tjera, edhe të kombinuara, nuk mjaftojnë. Këtu duhet thënë diçka qartë: një pjesë e rëndësishme e draftit nuk shpik standarde të reja. Ajo përpiqet t’i kthejë në norma të shkruara standardet që Strasburgu dhe Gjykata jonë e Lartë i kanë formuar tashmë.

E njëjta prirje shihet te ndërtimi i akuzës. Drafti kërkon që prokurori, kur dërgon çështjen në gjyq, të arsyetojë çdo element të figurës së veprës dhe të tregojë provën konkrete për secilin prej tyre. Kur ligji kërkon një qëllim të posaçëm, ai duhet provuar më vete dhe nuk mund të nxirret automatikisht nga pasoja. Kjo përputhet me një drejtim që Gjykata e Lartë e kishte zhvilluar më parë: një veprim i paligjshëm ose një pasojë e ardhur nuk provojnë vetvetiu dashjen apo qëllimin penal. Risia e draftit është se këtë kontroll e sjell shumë më herët. Prokurori duhet ta ketë akuzën të plotë që në momentin kur kërkon gjykimin, jo të presë që ajo që mungon të “plotësohet” gjatë gjykimit.
Pra, në disa fusha rruga është e qartë: jurisprudenca e ka parë problemin, gjykatat e kanë formuluar standardin, dhe drafti përpiqet t’i japë një pasojë procedurale të prerë.

Edhe pozita e avokatit kishte nevojë të ndryshonte
Për barazinë e armëve flitet prej kohësh në procesin tonë penal. Por një parim mund të jetë shumë i bukur në tekst dhe pothuajse i padukshëm në praktikë.
Gjatë hetimit, prokuroria ka në dorë policinë gjyqësore, ekspertët, laboratorët, administratën publike, si dhe instrumentet e kontrollit, të sekuestrimit e të përgjimit. Ka një aparat të tërë shtetëror për të kërkuar dhe fiksuar provën. Mbrojtësi, në masë të madhe, ka qenë ai që pret dosjen, e lexon dhe përpiqet të kundërshtojë atë që ka prodhuar pala tjetër. Nëse barazia e armëve fillon vetëm pasi njëra palë ka krijuar pothuajse gjithë materialin mbi të cilin do të zhvillohet gjykimi, ajo është një barazi e vonuar.
Kreu i ri për hetimet e mbrojtjes e ndryshon këtë raport. Mbrojtësi mund të kontaktojë persona, të marrë deklarata, të dokumentojë rrethana, të kërkojë dokumente, të krijojë fashikullin e mbrojtjes dhe, në raste të caktuara, t’ia paraqesë elementet drejtpërdrejt gjyqtarit.

Kjo nuk e kthen avokatin në prokuror privat. Barazia e armëve nuk është barazi pushtetesh: prokurori ushtron pushtet publik, avokati jo. Por nëse kemi zgjedhur një proces akuzator, duhet ta pranojmë edhe pasojën e tij. Mbrojtja nuk mund të mbetet thjesht kundërshtare e provës së akuzës. Ajo duhet të ketë mundësi reale të kërkojë dhe të ndërtojë provën e vet. Përndryshe, e mburrim sistemin akuzator në teori, ndërsa në praktikë ruajmë një nga tiparet më tipike të modelit inkuizitor: krijimin e materialit provues kryesisht në duart e organit që ka ndërtuar edhe hipotezën e akuzës. Në këtë dritë duhet parë edhe regjistrimi i emrit të personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. Drafti i lejon gjyqtarit të ndërhyjë kur hetimi është orientuar faktikisht ndaj një personi, por emri i tij ende nuk është regjistruar. Personi, nga ana e tij, mund të kërkojë kontrollin dhe, kur ka vonesë të pajustifikuar, retrodatimin e regjistrimit. Nuk është thjesht çështje regjistri. Një njeri nuk mund të jetë mjaftueshëm i dyshuar që shteti të mbledhë prova kundër tij, por jo mjaftueshëm i dyshuar që të aktivizohen të drejtat që ligji i njeh.

Pse nuk mjafton etiketa “draft kundër SPAK-ut”
Një dispozitë e draftit prek drejtpërdrejt sistemin e posaçëm: neni 9 propozon ndryshimin e kompetencës së GJKKO-së për akuza të caktuara ndaj gjyqtarëve të saj dhe prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Kjo dispozitë duhet diskutuar dhe justifikuar më vete. Por nga ajo nuk mund të nxirret përfundimi se e gjithë reforma është “kundër SPAK-ut”. Kufizimi i arrestit në burg, kontrolli gjyqësor mbi ndërhyrjet digjitale, hetimet e mbrojtjes, regjistrimi në kohë i personit, kontrolli mbi provën dhe standardi i ri i seancës paraprake vlejnë për gjithë sistemin penal. Dhe, siç pamë, disa prej tyre përputhen me standarde që Strasburgu dhe Gjykata e Lartë i kishin vendosur përpara debatit të sotëm.
Prandaj duhet një ndarje e domosdoshme. Mund të kundërshtohet një dispozitë konkrete që prek SPAK-un, por kjo nuk e bën “anti-SPAK” një reformë që, në pjesën tjetër, rregullon marrëdhënien midis çdo prokurorie, çdo gjykate dhe çdo personi të hetuar.

Jo çdo kundërshtim i prokurorëve qëndron, por disa duhen dëgjuar
Shoqata e Prokurorëve ka ngritur shqetësime se ndryshimet mund t’i fragmentojnë kompetencat hetimore, t’i ngadalësojnë hetimet dhe t’i kufizojnë mjetet e kërkimit të provës. Ajo ka kundërshtuar gjithashtu rrezikun e një lloj “gjyqtari hetues fragmentar”, pa u ndryshuar në tërësi modeli i hetimit. Ky shqetësim nuk është pa bazë. Në një sistem akuzator, ndarja e roleve duhet ruajtur pa mëdyshje: prokurori drejton hetimin, gjyqtari kontrollon ligjshmërinë e ndërhyrjeve që cenojnë të drejtat. Nëse gjyqtari fillon të zgjedhë vetë drejtimin, metodën ose strategjinë e hetimit, kufiri është kaluar. Po aq i arsyeshëm është shqetësimi për përdorimin automatik të përgjegjësisë disiplinore për shkelje procedurale. Një vendim mund të jetë i gabuar dhe të korrigjohet nga gjykata më e lartë, pa qenë domosdoshmërisht shkelje disiplinore e gjyqtarit.
Por jo çdo kundërshtim ka të njëjtën peshë. Fakti që kontrolli gjyqësor kërkon më shumë kohë ose më shumë arsyetim nuk është vetvetiu argument kundër tij. Në procedurën penale, disa vështirësi janë pikërisht çmimi i ligjshmërisë. Kur shteti kërkon të heqë lirinë, të hapë përmbajtjen e një telefoni apo të hyjë thellë në jetën private, është normale që barra për të shpjeguar pse e bën këtë të jetë më e rëndë.

Nuk bind as argumenti se hetimet e mbrojtjes janë të panevojshme sepse prokurori ka detyrimin të mbledhë edhe provat në favor të personit. Objektiviteti i prokurorit është detyrim i tij. Autonomia e mbrojtjes është e drejtë e të pandehurit. Njëra nuk e zëvendëson tjetrën. Nëse duam vërtet një proces akuzator, nuk mund të kërkojmë njëkohësisht që krijimi i provës të mbetet kryesisht në duart e njërës palë.

Drafti ka edhe probleme serioze
Të pranosh filozofinë e disa prej ndryshimeve nuk do të thotë ta pranosh draftin siç është.
Problemi më i dukshëm lidhet me median. Pika 14 e nenit 103 shkon deri aty sa kërkon që edhe gazetari ose media që e ka tashmë materialin në dorë të marrë autorizim gjyqësor për ta publikuar:
“Në çdo rast, publikimi nuk mund të kryhet pa autorizimin gjyqësor.”. Mbrojtja e sekretit hetimor, e privatësisë, e viktimës dhe e prezumimit të pafajësisë është e nevojshme. Por një regjim i përgjithshëm i lejes paraprake për publikim është ndërhyrje shumë më e thellë. Sidomos kur organi procedues ruan, në rrethana të caktuara, të drejtën të informojë publikun, krijohet një pabarazi e re: institucioni mund ta japë versionin e vet të çështjes, ndërsa gazetarit i duhet leje për të publikuar dokumentin me të cilin mund ta verifikojë. Kjo pjesë duhet rishkruar.
As hetimet e mbrojtjes, megjithëse janë një nga risitë më të mira të draftit, nuk janë zgjidhur deri në fund. Drafti kërkon që deklarata me shkrim e marrë nga mbrojtësi, pasi nënshkruhet nga deklaruesi, të vërtetohet nga noteri. Një kërkesë e tillë duhet të ketë justifikim të fortë. Nëse avokati identifikohet, dokumenton veprimin, bën paralajmërimet ligjore dhe mban përgjegjësi për mënyrën si e kryen, duhet parë nëse noterizimi sjell vërtet një garanci shtesë apo vetëm formalitet dhe kosto.

Dhe kostoja nuk është çështje e vogël. Prokuroria përdor policinë, ekspertët dhe laboratorët me fondet e shtetit. Hetimi i mbrojtjes mund të kërkojë ekspertë informatikë, ekspertë financiarë, regjistrime, udhëtime, verifikime teknike dhe dokumentacion. Nëse gjithë kjo varet vetëm nga mundësitë ekonomike të të pandehurit, rrezikojmë të krijojmë një të drejtë të njëjtë në letër dhe dy mbrojtje krejt të ndryshme në praktikë. Barazia e armëve që varet nga portofoli nuk është barazi e plotë. Drafti lë pa trajtim të mjaftueshëm edhe disa probleme që praktika i ka bërë të dukshme. Te veprimet e simuluara duhej kodifikuar më qartë kërkesa që, përpara fillimit të operacionit, të ekzistojnë të dhëna konkrete dhe të kontrollueshme që e lidhin personin me veprimtarinë kriminale. Përndryshe, kufiri midis zbulimit të një krimi dhe nxitjes së tij varet tepër nga mënyra si e shpjegon ngjarjen dikush pasi ajo ka përfunduar.
Te provat materiale mungon një regjim i plotë i zinxhirit të ruajtjes. Për drogën, armët, mostrat biologjike apo sende të tjera duhet të ndiqet qartë rruga nga sekuestrimi te eksperti dhe pastaj te gjykata. Integriteti i provës nuk mund të mbështetet vetëm te prezumimi se çdo hallkë ka funksionuar siç duhet.
Edhe mosveprimi procedural mbetet problem. Të drejtat nuk cenohen vetëm kur prokurori merr një vendim të gabuar. Ato cenohen edhe kur nuk merr vendim fare, kur kërkesa mbetet pa përgjigje dhe koha e zbraz në praktikë një të drejtë që ligji e njeh në teori. Po kështu, masat pasurore kërkojnë analizë më të thellë të proporcionalitetit, të kohëzgjatjes, të lidhjes konkrete të pasurisë me faktin penal dhe të pasojave ndaj personave të tretë apo veprimtarisë ekonomike.
Problemi tjetër është teknika legjislative. Në disa pjesë, drafti përdor dispozita shumë të gjata, me shumë kushte, përjashtime dhe pasoja brenda të njëjtit paragraf. Nuk është vetëm çështje gjuhe. Në procedurën penale, një fjali e paqartë mund të vendosë nëse një provë përdoret, nëse një person qëndron në burg apo nëse një ndërhyrje në privatësi ishte e ligjshme. Një normë e paqartë i jep interpretuesit pikërisht hapësirën që reforma kërkon t’ia kufizojë. Prandaj drafti ka nevojë jo vetëm për debat politik e juridik, por edhe për një redaktim të thellë teknik.

Çfarë duhet të bëjë konsultimi, para miratimit te draftit
Nuk do të ishte serioze as ta rrëzohet gjithë draftin, as ta miratohet siç është.
Duhet ruajtur filozofia e tij më e mirë: individualizimi i masave, arresti në burg si extrema ratio, kontrolli real gjyqësor, regjistrimi në kohë i personit, hetimet e mbrojtjes, kontrolli i provës digjitale, një akuzë që provon secilin element të veprës dhe një seancë paraprake që është filtër real, jo thjesht stacion përpara gjykimit.
Koha deri në miratim duhet përdorur për të korrigjuar atë që sot është e dobët. Duhet përcaktuar më qartë kufiri midis kontrollit gjyqësor dhe drejtimit të hetimit. Duhet rishkruar regjimi për median. Shkelja procedurale duhet ndarë nga përgjegjësia disiplinore. Hetimi i mbrojtjes duhet zgjidhur financiarisht për personat pa mjete, dhe noterizimi i deklaratave duhet rishikuar. Rregullat për veprimet e simuluara, zinxhirin e provës, masat pasurore dhe mosveprimin procedural duhen plotësuar. Dhe i gjithë teksti duhet të kalojë në një filtër serioz të teknikës legjislative.
Konsultimi nuk është pengesë për reformën. Është mundësia që një reformë me ide të rëndësishme të mos dëmtohet nga zgjidhje që mund të korrigjohen përpara se të bëhen ligj.
Në fund, reforma duhet t’i nënshtrohet një testi të thjeshtë: “A e bën më të vështirë abuzimin me pushtetin, pa e bërë të pamundur hetimin efektiv?”
Nëse përgjigjja është po, nuk kemi dobësuar drejtësinë penale. E kemi bërë më të besueshme. Sepse efikasiteti i një sistemi nuk matet vetëm me sa lehtë mund të arrestojë, kontrollojë apo sekuestrojë shteti. Matet edhe me aftësinë për të zbuluar e ndëshkuar krimin duke provuar, sa herë që ndërhyn në lirinë e individit, se ndërhyrja ishte e ligjshme, e nevojshme dhe proporcionale. Ky është kuptimi më i thellë i shumë prej ndryshimeve të propozuara: jo më pak shtet, jo më pak prokurori, dhe sigurisht jo një procedurë “kundër SPAK-ut”, por më pak pushtet procedural pa shpjegim dhe më shumë përgjegjësi për mënyrën si ushtrohet ai pushtet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: