Përfundimi me sukses i zgjedhjes së presidentes së re të Kosovës kaloi nëpërmjet një skenari të papërmbajtshëm me emocione, që do të mbahet mend gjatë jo vetëm në analet historike të shtetit të Kosovës, por edhe në ato të shkencave politike në Europë e më gjerë. Në fund triumfoi instinkti njerëzor dhe politik i bashkëpunimit, në momentin kur disa minuta dhe pak metra mbrapa vinte gremina. Kosova tregoi mbrëmë se ishte e aftë t’ia gjente vetë antidotin virusit të vetëvrasjes kolektive politike që ajo vetë kishte krijuar. Kosova doli nga kjo krizë me forcat e veta, pa ndihmën e një neo-”Ahtisari”. Ajo që s’të vret, të bën edhe më të fortë.

Tragjedia dhe “shansi” i Hagës
Çfarë do të kishte ndodhur nëse vendimi i tmerrshëm i shkallës së parë në Gjykatën e Hagës kundër Hashim Thaçit dhe shokëve të tij në shtator do të ishte lënë për më vonë? Kosova sot do të kishte hyrë në zgjedhje të parakohshme. Nga një e keqe ndodh që del edhe një e mirë. Ishte ai vendim i papranueshëm për shqiptarët që shërbeu, pa u kuptuar në atë moment, si një “deus ex machina” – apo ajo surpriza e papritur që ndodhte në tragjeditë e lashta greke dhe që ndryshonte për mirë rrjedhën e ngjarjeve.
Duke dashur me çdo kusht të tregonte se nuk e braktiste shefin e saj historik, as edhe epopenë e lavdishme të UÇK-së, PDK-ja pati idenë e kryerjes së të pamundurës: votimin e ligjeve që do të mund t’i hiqnin pushtetin e pakufizuar Gjykatës Speciale. Paçka se vlera e një ligji të tillë do të ishte vetëm simbolike, sepse ai nuk ka forcë kushtetuese, Partia Demokratike e Kosovës do të mund t’i jepte me të jo vetëm një mbështetje të fuqishme shpirtërore të burgosurve padrejtësisht në Hagë, por edhe një shpërblim moral për ato mijëra veteranë të UÇK-së dhe mbarë popullin e Kosovës, krenar për luftën e tij çlirimtare.
Merita e PDK-se rezultoi tek oferta e votimit të presidentit të ri të Kosovës që ishte në dorë të saj, në shkëmbim të votimit të ligjit mbi zbehjen e pushtetit të Gjykatës Speciale në Hagë, që ishte në dorë të mazhorancës së Vetëvendosjes. Merita e fundit i takon personalisht Kurtit, i cili e kuptoi menjëherë dhe siç duhet shansin unikal që po i trokiste në derë Kosovës me këtë propozim të PDK-së dhe e pranoi marrëveshjen në emër të stabilitetit politik të kombit. Por nuk qe fare e lehtë për të, ndaj dhe mrekullia ndodhi vetëm në çastin e fundit atëherë kur çdo shprese dukej e humbur.

Duhej bindur Europa

Tri ishin sfidat madhore për Albin Kurtin. Ndonëse me përvojën e gjatë politike ai e nuhati që në fillim se oferta e PDK-së ishte mundësia e vetme për ta shpëtuar Kosovën nga zhytja edhe më thellë në krizën politike, atij i shkaktonte problem, së pari, koha e pakët që kishte në dispozicion, së dyti Europa që do të ishte krejtësisht kundër por nga e cila Kosova varet në shumë aspekte, dhe se treti e mbi të gjitha sfida më e madhe qe pengonte Kurtin : si mund t’i besohej një rivali kaq të ashpër politik si Hamza dhe Partise së tij Demokratike të Kosovës se nuk e kishin me hile marrëveshjen që propozonin.
Fat për Kurtin që, në momentin kur duhej të vendoste për ofertën që kishte marrë, Kryetarja e Komisionit Europian, Von der Leyen, ndodhej për vizitë në Prishtinë. Me siguri që Kurti ka arritur ta bindë atë që Europa t’i hapte dritën jeshile kësaj marrëveshjeje, ndonëse një aprovim i tillë europian nuk mund të ishte kurrsesi publik dhe zyrtar. Në kulisat e negociatave, Von der Leyen e ka kuptuar shumë mirë interesin e vetë BE-së për një marrëveshje të tillë PDK-LVV. Zgjidhej krizë e tmerrshme politike e Kosovës në shkëmbim të një ligji simbolik, pasi Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet pa një ndryshim të nenit 146 të Kushtetutës së Kosovës, nen i cili mund të anulohet vetëm me pëlqimin e 2/3 të votave të serbëve në parlamentin e Kosovës, domethënë një mision i pamundur. Me pranimin “off the record” nga Europa të marrëveshjes LVV-PDK, Kurti hynte në fazën e fundit, por edhe më të rrezikshme të marrëveshjes dhe të vetë karrierës së tij politike : a i duhej bërë besim Hamzës?

Lojërat me rendin e votimit

Bllokimi morri një emër: krizë mosbesimi. a të votohet më parë ligji që e pret me padurim PDK-ja dhe më pas presidenti që e pret me padurim LVV-ja? Apo e kundërta? Ky qe debati i ethshëm që pushtoi aktualitetin politik të Kosovës ditët e fundit, derisa vuri në rrezik gjithë marrëveshjen.
Kurti mendoi se gjeti një zgjidhje të mesme: të votohet një herë të parë ligji i PDK-së për Gjykatën Speciale, më pas të votohet për Presidentin e ri të Kosovës, dhe më pas të votohet për herë të dytë ligji i PDK-së, sepse procedura kërkonte dy votime. Për të dëshmuar sa seriozisht e kishte, Kurti me deputetët e tij e kryen pa hezitim votimin e parë të ligjit të PDK-së. Por kjo agjendë u hodh poshtë nga PDK-ja, e cila kërkonte me çdo kusht edhe votimin për herë të dytë të ligjit të saj e më pas të kalohej tek votimi i presidentit. PDK-ja e argumentonte këtë qëndrim me frikën se, nëse zgjidhej Presidenti në mes të dy votimeve të ligjit të saj, Kurti i priste në besë dhe nuk e bënte votimin e dytë.
Ishte ekzaktësisht i njëjti kundër-argument që i shpaloste edhe Kurti kryetarit të PDK-së : çfarë e garanton LVV-në se pasi të jetë votuar dy herë ligji i PDK-së siç e kërkon procedura, partia e Bedri Hamzës “e pret ne besë”, domethënë nuk shkon më në seancë për të votuar presidentin dhe e çon vendin në zgjedhje të parakohshme? Ky do të ishte një tundim i fortë dhe llogjik për PDK-në, sepse gjatë kësaj kohe ajo po shihte se po rritej shumë elektoralisht falë dramës së Hagës dhe propozimit të ligjit kundër Gjykatës Speciale që mblidhte shumë manifestues para Kuvendit.
Një mekanizëm mosbesimi dypalësh i pashoq u instalua. Ai gati sa nuk e çoi Kosovën në zgjedhje të parakohshme, kur ajo ishte vetëm dy gisht larg zgjidhjes përfundimtare. Ishte meritë e Albin Kurtit të merrte rrezikun, t’i besonte PDK-së dhe të pranonte t’ia votonte për herë të dytë ligjin para se ajo të votonte për presidentin.

Kur Kuvendi i Prishtinës mori formën e konklavës së Vatikanit

Si për ta bindur edhe më shumë PDK-në që të mbante fjalën (sepse nuk do të kishte interes ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme), Kurti, përtej votimit të dytë të ligjit të PDK-së, ofroi në çastin e fundit që edhe presidenti i ri i Kosovës të ishte nga rradhët e PDK-së. Manovër e suksesshme që PDK-ja e pranoi, për më tepër që emri i akademikes Justina Shiroka Pula ishte nder për PDK-në, ashtu si për gjithë Kosovën.
Në hapësirën prej më pak se një ore para skadimit të afateve ligjore për zgjedhjen e presidentit, Parlamenti i Kosovës u mblodh si me magji. Ajo që pasoi tregoi se “happy end”-et nuk ndodhin vetëm nëpër filma, por edhe në historitë e popujve. Sepse ajo që ndodhi ishte vërtet historike. Ishte si ato historitë e herëpashershme që Vatikani i ofron botës kur priftërinjtë mblidhen në konklavë dhe nuk dalin që andej pa dalë tymi i bardhë i zgjedhjes së një pape të ri.
Përgjatë një ore mbrëmë në mesnatë, Kuvendi i Kosovës na ofroi emocione të forta, ku lotët nga gëzimi nuk do të ishin aspak të stisura. Një fund i lumtur që u kurorëzua kur presidentja e re bëri betimin para parlamentit, kushtetutës dhe gjithë popullit të Kosovës, me premtimin se do t’i shërbejë atij dhe vetëm atij. Një premtim që dhe dy partitë kryesore në vend e treguan dhe e mbajtën me marrëveshjen e tyre guximtare, e cila vjen në momentin më të duhur të tallazeve ndërkombëtare, ku Kosovës i duhet bashkim kombëtar dhe vetëmohim politik për kauzën më supreme: atë të mbrojtjes së interesave të vendit. Bravo Hamzës, bravo Kurtit, bravo Kosovës!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: