Në një reagim sqarues ndaj disa artikujve të publikuar në mediat e majta amerikane, Jared Kushner ka reaguar për projektin e zhvillimit në Zvërnec, duke hedhur poshtë pretendimet se toka i është dhënë nga qeveria shqiptare dhe duke theksuar se bëhet fjalë për një investim privat, mbështetur në besimin te potenciali ekonomik dhe turistik i Shqipërisë.
Kushner deklaron se partnerët e projektit e kanë blerë tokën nga një palë private për 230 milionë euro. Sipas tij, titulli i pronësisë është shqyrtuar nga këshilltarët ligjorë dhe është verifikuar. Ai shton se projekti nisi si një investim privat në pasuri të paluajtshme dhe se, nëse rezulton i suksesshëm, mund të përfaqësojë rreth 4 miliardë euro investime, duke krijuar vende pune, aktivitet ekonomik dhe mundësi të reja për turizmin dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.
Kushner bën të ditur se, që prej blerjes së tokës, janë shpenzuar më shumë se 3 vjet dhe dhjetëra miliona dollarë për studimin e terrenit, mjedisit dhe nevojave të rajonit. Në hartimin e projektit janë angazhuar arkitektë, projektues, inxhinierë dhe ekspertë mjedisorë.
Kushner bën të ditur se Asher Abehsera, një mik i vjetër dhe partner biznesi me një histori të provuar zhvillimi të suksesshëm, u bashkua si partner dhe CEO i projektit dhe ka udhëhequr punën e përditshme gjatë katër viteve të fundit, ndërsa familja Kastrati, një familje e njohur biznesi shqiptare me rrënjë të thella dhe krenari për vendin, ishte ajo që fillimisht na e solli në vëmendje oportunitetin e tokës dhe që ndan besimin tonë në potencialin e Shqipërisë.
Sa i përket rolit të tij personal, Kushner sqaron se fokusi ka qenë kryesisht te vizioni dhe dizajni i projektit, ndërsa e përshkruan veten si partner në pakicë, pa përfshirje në aktivitetet e përditshme.
Jared Kushner ndalet edhe te shqetësimet për mjedisin, duke deklaruar se synimi është që zona të zhvillohet sipas standardeve të larta të projektimit dhe mbrojtjes mjedisore, për ta lënë atë më të gjelbër, me më shumë biodiversitet dhe më të fortë nga ana mjedisore.
Ai mohon gjithashtu pretendimet se projekti ka përparuar për të siguruar favore nga Presidenti Donald Trump. Sipas tij, interesi për investimin nisi në verën e vitit 2021, kur ai ishte ende qytetar privat, shumë përpara shpalljes së kandidaturës së Trump për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Për aeroportin, Kushner deklaron se ai ishte miratuar që përpara se të shihte për herë të parë projektin dhe se ishte një nga faktorët që ndikuan në vizionin e tij për zhvillimin e rajonit. Zyrtarët e qeverisë e miratuan aeroportin me kërkesën time. Në fakt, aeroporti ishte miratuar tashmë në kohën kur unë pashë projektin për herë të parë, dhe ai ishte një nga faktorët që më tërhoqi dhe formësoi vizionin tim për atë që mund të bëhej rajoni”, shprehet Kushner.
Në fund të fundit, thote ai Shqipëria do të vendosë nëse projekti do të vazhdojë. Nëse miratohet, shpresoj që të mund të krijojmë diçka për të cilën shqiptarët të jenë krenarë dhe që familjet nga Shqipëria dhe anembanë botës ta shijojnë për breza me radhë.
