Historiani dhe studiuesi Auron Tare ka publikuar pamje nga rrënojat e shtëpisë së shkrimtarit të njohur shqiptar Mitrush Kuteli, duke denoncuar gjendjen në të cilën ndodhen ambientet e banesës së tij. Sipas Tares, vendi ku dikur qëndronte shtëpia e një prej emrave të rëndësishëm të letërsisë shqipe është kthyer në një hapësirë ku hidhen mbeturina.

Në reagimin e tij, Tare shprehet se rrënojat ndodhen vetëm 20 metra larg kopshtit të Lasgush Poradecit, ndërsa rrugica që dikur lidhte shtëpitë e dy figurave të njohura të letrave shqipe është mbyllur me mure dhe gurë.

“Shqiptarët i hedhin plehra themeleve të shtëpisë së tij. Vetëm 20 metra nga kopshti i Lasgushit, shtëpia është rrënuar dhe ka mbetur vend hedhurinash”, shkruan Tare, duke shprehur indinjatën për mënyrën se si po trajtohet trashëgimia e shkrimtarit.

Mitrush Kuteli, emri i vërtetë i të cilit ishte Dhimitër Pasko, ishte prozator, poet, përkthyes, publicist, folklorist dhe kritik letrar. Ai la një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e prozës moderne shqipe dhe në pasurimin e kulturës kombëtare.

Për të vënë në dukje lidhjen e shkrimtarit me vendin dhe gjuhën shqipe, Auron Tare ka ndarë edhe një fragment nga letra e lamtumirës së Mitrush Kutelit drejtuar bashkëshortes, ku ai u përcillte fëmijëve të tij porosinë për ta dashur atdheun edhe në momentet më të vështira.

“Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje”, thuhet në fragmentin e publikuar nga Tare.

Postimi i plotë:
“Rrënojat e Shtëpisë së Mitrush Kutelit”
Prozator, poet e folklorist, publicist, përralltar e kritik letrar, Kuteli i la që në të gjallë kulturës dhe mendimit shqiptar mbi 10 botime letrare.
Shqiptarët i hedhin plehra themeleve të shtëpisë së tij. Vetëm 20 metra nga kopështi i Lasgushit shtëpia ëdhtë rrënuar dhe ka mbetur vend hedhurinash. Rrugica e ngushtë që dikur lidhte shtëpitë e dy njerzve të letrave është mbylluar me mure dhe gurë si për ti ndarë ata poetë edhe pas vdekjes.
Pjesë nga Letra e lamtumirës për bashkëshorten”
“Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb