Një ngjarje tragjike në qytetin e Nagoyas, në Japoni, ka shkaktuar zemërim dhe një betejë ligjore, pasi një 29-vjeçar që u hodh nga kati i 11-të i një pallati ra mbi një vajzë 23-vjeçare, duke i shkaktuar vdekjen, ndërsa vetë mbijetoi. Viktima, Hora Inaba, po ecte në trotuar kur burri u hodh nga ballkoni i një pallati 12-katësh. E reja pësoi plagë të rënda dhe u transportua në spital, por nuk arriti t’u mbijetonte dëmtimeve.

Ndërkohë, 29-vjeçari mbeti gjithashtu i plagosur rëndë dhe qëndroi për një periudhë në spital, në gjendje kome. Pasi rifitoi vetëdijen, ai u mor në paraburgim në fund të gushtit dhe u arrestua nën dyshimin për shkaktim të vdekjes nga pakujdesia e rëndë. Gjithashtu, është nisur një vlerësim psikiatrik për të përcaktuar gjendjen e tij dhe përgjegjësinë penale. Babai i 23-vjeçares, Kenji Inaba, nuk e pranon që vdekja e vajzës së tij të trajtohet si një aksident dhe kërkon që 29-vjeçari të përballet me akuzën e vrasjes. Në një intervistë për mediat japoneze, ai ka rrëfyer dhimbjen e madhe pas humbjes së vajzës, duke kujtuar edhe mesazhin e fundit që kishte marrë prej saj. Hora i kishte thënë se të nesërmen planifikonte të shkonte në shtëpinë e tij për të darkuar së bashku.

Babai tregoi se ishte shumë i lumtur që do të ribashkohej me të bijën pas rreth nëntë muajsh, por takimi i tyre nuk u realizua kurrë. Që prej ngjarjes, ai ka zhvilluar një betejë ligjore për të kërkuar një akuzë më të rëndë ndaj të dyshuarit. Sipas tij, gjatë takimeve me 29-vjeçarin, ky i fundit i ka kërkuar falje, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të. Kenji Inaba tregoi se në njërin prej takimeve e kishte pyetur të dyshuarin nëse ishte hedhur pa marrë parasysh se mund të kishte njerëz poshtë dhe se dikush mund të humbiste jetën.

Sipas babait, burri ishte përgjigjur: “Po, është e vërtetë”. Ai e interpreton këtë përgjigje si tregues se i dyshuari ishte i vetëdijshëm për rrezikun që veprimi i tij mund t’u shkaktonte njerëzve të tjerë. Në përpjekje për të ndryshuar drejtimin e çështjes penale, Kenji Inaba ka nisur në muajin shtator një peticion online, përmes të cilit kërkon që 29-vjeçari të gjykohet për vrasje me dashje eventuale, pra në rrethana kur autori parashikon mundësinë e vdekjes së një personi tjetër dhe e pranon atë rrezik.

Fushata ka marrë mbështetjen e më shumë se 45 mijë personave, sipas raportimeve të mediave japoneze. Megjithatë, juristët në Japoni paralajmërojnë se pranimi i një akuze të tillë nuk është i thjeshtë. Një nga çështjet që duhet të shqyrtohet është nëse mund të provohet se i dyshuari e parashikoi dhe e pranoi mundësinë që rënia e tij të shkaktonte vdekjen e një kalimtari. Përcaktimi i përgjegjësisë penale dhe i akuzës përfundimtare do të varet nga provat dhe vlerësimi i autoriteteve gjyqësore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: