Një ditë pas protestës së studentëve, e cila u shoqërua me përplasje me policinë, gjimnazistët e shkollës “Partizani” kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në oborrin e shkollës në shenjë proteste.
Të rinjtë kanë refuzuar të futen në klasa, ndërsa janë bashkuar në thirrjet kundër kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar largimin e tij nga detyra. “Rama, jep dorëheqjen!”, kanë brohoritur gjimnazistët.
Bojkoti vjen pas protestës së djeshme të studentëve, e cila zgjati më shumë se tetë orë dhe u shoqërua me përplasje me forcat e policisë. Gjatë ndërhyrjes pati pretendime për dhunë ndaj protestuesve, ndërsa një prej të rinjve raportohet se pësoi thyerje të këmbës.
Ndërkohë, për sot, në orën 14:00, është njoftuar një tjetër protestë e studentëve, pas tensioneve të krijuara gjatë tubimit të një dite më parë.
