Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar ashpër pas denoncimit të gazetarit të News24, Osman Stafa, i cili pretendon se u intimidua dhe u kërcënua nga punonjës të policisë teksa po filmonte një ndërhyrje pranë Piramidës në Tiranë.

I ftuar në emisionin “Prime News24”, Noka e cilësoi ngjarjen si një tejkalim të çdo kufiri të keqpërdorimit të Policisë së Shtetit. Sipas tij, policia është kthyer në një strukturë private për mbrojtjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa ndalimi i një gazetari që po dokumentonte një ngjarje përbën cenim të së drejtës për informim.

Noka e lidhi këtë rast edhe me masat ndaj studiove televizive për gjobitjen e tyre pas deklaratave kritike të të ftuarve ndaj kryeministrit. Ai e cilësoi situatën si shenjë të panikut të qeverisë dhe bëri thirrje për përmbysjen e asaj që e quajti “narkoregjim”.

Flamur Noka në Prime News24:

Ajo që pamë me gazetarin Osman Stafa tejkalon çdo limit që mund të ketë keqpërdorimi i Policisë së Shtetit. Është kthyer në bandë private për të mbrojtur narkokryeministrin. Është e papranueshme. Të ndalosh gazetarin të ushtrojë të drejtën e tij për të pasqyruar realitetin në vend. E drejta e gazetarëve është e garantuar. Nuk ka ndodhur kurrë kjo sjellje.

Kjo tregon edhe panikun që e ka mbërthyer narkoregjimin dhe Edi Ramën. Panik, sepse kërkon të mbajë çdo gjë me dhunë. Edhe VKM-ja me masa represive është tmerr. Rama është në paranojë, i tmerruar dhe nuk po di se çfarë po bën.

Gjobiten studio televizive pse një i ftuar kritikon kryeministrin. Nuk është parë kurrë në asnjë vend kjo. Nesër mund të vijë gjoba edhe këtu, se unë them Rama është narkokryeministër.

Ky është fundi i një shteti dhe tregon që në Shqipëri ka vetëm një rrugë: të ngrihen të gjithë dhe të përmbyset narkoregjimi. Rrugë tjetër nuk ka.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb